E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Rritje të informimit për të luftuar dezinformimin

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ “Nuk ka një mënyrë më efikase për të përballur dezinformimin duke informuar më shumë nuk ka një mënyrë më të drejtpërdrejtë, më demokratike dhe patjetër dhe më ballafaquese për t’iu kundërvënë dezinformimit, sesa rritja e informimit”.

Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama në Konferencën e VI Kombëtare për të Drejtën e Informimit.

“Dezinformimi rritet përditë, ndërkohë që informacioni i bazuar në çka realisht është e shkuar e zeza mbi të bardhë, e firmosur, e vulosur, e protokolluar, nuk shkon në proporcion me këtë si një vullnet për tu përballur dhe kjo nuk është një çështje koordinatorësh”, theksoi Rama.

Patjetër, vijoi Rama, që koordinatorët janë të rëndësishëm në këtë fazë, por kjo është një çështje që ne duhet ta përballim duke e mekanizuar totalisht dhe duke e bërë krejtësisht të pamundur për institucionet që ta mbajnë dot informacionin.

Kreu i qeverisë u shpreh se “fatmirësisht jetojmë në një kohë kur teknologjia është bekim për vende si i yni që prapambetjen që lidhet me mungesën e traditës së shtetit, ta kompensojnë me zhvillimin teknologjik dhe sa më shumë teknologji dhe sa më shumë hapësirë të pa ndikueshme nga subjektiviteti i njërit dhe i tjetrit ne të krijojmë për të dhënat, për të gjitha ato të dhëna që janë pronë publike se ka dhe të dhëna që me ligj konsiderohen të dhëna konfidenciale, aq më shumë ne do të mund të ndihmojmë publikun, por të ndihmojmë dhe vendin tonë për tu ngjitur në një nivel tjetër dhe kjo është krejtësisht e mundshme”.

Kryeministri Rama tha se “tjetra që dua të them është që trajtimi i informacionit që i takon publikut, i takon medies, i takon të gjithë të interesuarve si e drejtë e sanksionuar me ligj ndërkohë që trajtohet si një pushtet i ushtruar abuzivisht mbi të gjithë ata që përmenda është me pa diskutim një hapësirë ose një shtysë për të krijuar shumë mister, për të krijuar shumë thashetheme, për të krijuar shumë helm mbi faktet dhe për t’i dhënë mundësi pastaj lloj-lloj spekulimeve kur në fakt, faktet janë ato që janë dhe faktet ballafaqohen më mirë se cilido tjetër që flet në emër të tyre me këdo që lufton me faktet”.

/k.s/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›