Rama: BE negocion me shtetin shqiptar, të përfshira në procesin e integrimit 157 institucione

TIRANË, 26 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PS-së, deklaroi sot se “Bashkimi Europian nuk negocion me qeverinë, por me shtetin shqiptar”, dhe në këtë proces janë përfshirë 157 institucione.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Rama theksoi se qeveria po udhëheq procesin për ta bërë vendin gati për anëtarësim në BE.
“Ka qenë një proces që ka zgjatur për 14 muaj dhe në të janë përfshirë 157 institucione. Rëndom krijohet ideja e gabuar që negociatat e Shqipërisë me BE-në janë të qeverisë me BE-në. Në fakt qeveria udhëheq procesin. Qeveria ka një pjesë të rëndësishme të punës për ta bërë vendin të gatshëm për anëtarësim, por BE nuk negocion me qeverinë. BE negocion me shtetin shqiptar dhe 157 institucione janë pjesë e gjithë përbërjes së skuadrës sonë kombëtare që negocion me BE-në”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se “janë përfshirë në këtë listë dhe proces 32 institucione të pavarura për të siguruar që diagnoza të shkojë deri në qelizë”.
“Procesi ka një numër të jashtëzakonshëm për nga intensiteti takimesh mes palëve dhe janë takime të drejtpërdrejta shpjeguese, janë bërë 67 të tilla në Bruksel; takime koordinuese 114 të tilla në harkun e 14 muajve; 777 prezantime janë bërë nga ana e Shqipërisë në tryezën e bisedimeve dhe 232 takime të grupeve ndërinstitucionale të punës”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se të gjitha këto shifra janë të nevojshme për të lexuar të gjithë panoramnën dhe për të kuptuar “pse”-në e ngritjes së komisionit të posaçëm parlamentar.
“Ana tjetër, është çfarë duhet bërë akoma, në mënyrë që vendi të plotësojë të gjitha kushtet për të qenë nga pikëpamja teknike një vend anëtar i BE-së. Pastaj vendimmarrja politike për anëtarësimin është një çështje tjetër, që merremi dhe do vazhdojmë të merremi në nivelin politik. Të gjithë në ndërveprim me partnerët, në mënyrën se si do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet që na jep diplomacia, në mënyrë që të dyja këto të bëhen bashkë dhe ky objektiv historikë të realizohet”, tha Rama.
/r.e/