E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Dallgë e re reformash me synim Shqipëria 2030 në BE

TIRANË, 26 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, u ndal sot tek arsyet e krijimit të komisionit të Posaçëm për Mirëqeverisjen, Sundimin Ligjit dhe Antikorrupsionin, ndërsa theksoi se vendi ka nevojë për dallgën e re të reformave me synim Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri theksoi se “shumë padrejtësisht, ngritja e këtij komisioni u parafytyrua si një përpjekje e PS-së për të vënë në kontroll drejtësinë”.

“Dua të shtjelloj pak më gjerë arsyet e ngritjes së komisionit të posaçëm parlamentar dhe domosdoshmërinë e një dallge të re reformash, të cilat nuk lidhen vetëm dhe drejtpërdrejt me qeverinë, por edhe me institucionet e pavarura. Dhe e gjithë lënda për të kuptuar nismën gjendet në dokumentet e formuluara gjatë dhe në fund të procesit të diagnostifikimit të Shqipërisë pas hapjes së negociatave, një proces që në gjuhën e BE -së quhet screening, që mundëson leximin deri në qelizë të gjendjes së organizmit të shtetit”, tha Rama.

“Dua të prek një pjesë të prezantimeve, thjesht me qëllimin që të gjithë të krijojnë një pamje të shtrirjes dhe thellësisë së procesit të diagnostifikimit. Janë një sërë kapitujsh, duke filluar nga themeloret dhe që kanë si tematika kryesore politikat publike, antikorrupsionin, masat parandaluese, ndëshkuese dhe nsërgjegjësimin publik, parandalimin e korrupsionit. Vazhdojmë më tutje me tregun e brendshëm, mbikëqyrjen e tregut, mbrojtjen e konsumatorit, akreditimin, standardizimin, licencimin e procesit”, shtoi Rama.

Po ashtu sipas tij, pjesë e procesit kanë qenë edhe çështjet e pastrimit të parave, tregut financiar dhe të kapitaleve, tregut të punës dhe inspektoriatet, sigurimet shoqërore, sektorët postarë dhe të dërgesave, të drejtat e pronësisë industriale.

“Më tutje janë temat e konkurrueshmërisë, me digjitalizimin e shërbimeve publike, doganore, tatimet, dhe një sërë aspektesh me arsimin, shkencën, kërkimin shkencor, sistemin e kujdesit shëndetësor, politikën monetare”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se procesi ka rezultuar befasues për Komisionin Evropian në aspektin e paraqitjes së skuadrës kombëtare të Shqipërisë në të gjitha prezantimet.

“Po ashtu ka rezultuar i kënaqshëm në aspektin e stadit të zhvillimit dhe të përgatitjes ku ne e kemi sjellë vendin”, shtoi ai.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›