E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Rruga e Arbrit do të jetë pa pagesë sa të jem unë këtu

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në bashkëbisedimin me qytetarët nëpërmjet platformave sociale, iu bëri apel shqiptarëve që jetojnë në Greqi, në sektorët e turizmit dhe ndërtimit që të kthehen në Shqipëri, pasi u del më mirë llogaria.

Një prej komentuesve, thotë se është më mirë të jetosh jashtë se në Shqipërisë, ndërsa i kërkon Ramës që të takojë qytetarët dhe t’i pyes pse largohen nga vendi.

“Po qe puna për vizita, unë e njoh Shqipërinë më mirë se ti dhe se çdokush tjetër për shkak të detyrës. Njoh çdo cep të Shqipërisë. Kam parë lloj-lloj realitetesh në Shqipëri. Mos ma tregoni mua dil nëpër Shqipëri se e njoh shumë mirë. Ja njoh edhe bukuritë, edhe plagët, edhe potencialet, edhe njerëzit, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Dhe po të them që në Shqipëri kush punon sidomos në fshat, jeton me dinjitet. Dhe në fund të ditës nuk punon për dikë tjetër, por për veten e vet dhe ky është një dallim shumë i madh”, tha Rama.

Kryeministri bëri një krahasim të pagave dhe taksave për shqiptarët që jetojnë në shtetin fqinj, Greqi dhe se si do të dilnin llogaritë nëse do të ktheheshin në Shqipëri.

“Sa i përket krahasimit, unë i sfidoj të gjithë! Hajde t’i bëjmë llogaritë në Greqi nëse ka punë në ndërtim se ka rënë shumë dhe në vendet e tjera të BE, aq sa di. Hajde bëjmë llogari sa merr një punëtor shqiptar në Greqi, ku shqiptarët janë punëtorët më të mëdhenj të ndërtimeve atje, dhe sa merr në Shqipëri dhe pastaj hyjmë pak më thellë. Sa taksa paguan atje, sa paguan këtu. Sa qira paguan atje, sa paguan këtu ku 94% e shqiptarëve kanë shtëpinë e tyre. Natyrisht, problemi i shtëpive për çiftet e reja do të fillojë të bëhet më i mprehtë në vitet që vijnë për shkak se po rriten dhe nuk mund të rrinë me prindërit. Sa kushton transporti atje, sa kushton këtu ku distancat janë më të shkurtra. Dhe këtu, kur je jashtë qytetit, kompania e ndërtimit të paguan edhe ushqimin, edhe fjetjen ose të mban”, vijoi Kryeministri Rama.

“Llogarinë në turizëm hajde ta bëjmë, sa merr një punonjës i zakonshëm në shërbimin e hoteleri-turizëm në Greqi sa merr në Shqipëri, sa paguan taksa në Greqi, sa këtu, sa e ka transportin atje, sa e ka këtu, sa e ka qiranë atje, sa i del këtu”, pohoi Kryeministri.

Sipas Ramës, njerëzit përpiqen që ta nxijnë imazhin e Shqipërisë, ndërsa Evropën e bëjnë “bardhë, bardhë, bardhë”!

“Kjo është jeta e fakteve! Pastaj, duam të flasim dokrra, duam të themi, zi, zi, zi Shqipëria, bardhë bardhë Evropa, por nuk është kështu. Patjetër që atje ka avantazhe që nuk janë këtu, patjetër që Shqipëria nuk është Gjermani, Suedi, se po të ishte kaq kollaj ishin bërë të tjerë, se mirë këtu po ju pengoj unë të bëheni si Gjermania, se ishit si Gjermania, të dytët pas Gjermanisë me bufin e kënetës atje”, u shpreh Rama.

Një tjetër qytetar tha se në Greqi është shumë vështirë të gjendet e drejta për të huajt, edhe pse ai ka 31 vite që jeton atje, ndërsa sa i takon ilaçeve akoma 160 mijë persona dolën nga lista që mbulonte shëndetësia greke.

Rama theksoi se “Greqia nuk është në standardet e Shqipërisë, është shumë më mirë në disa aspekte. Por, ama unë di të them që shqiptarët e Greqisë me gjithë eksperiencën që kanë bërë në ndërtim, në turizëm po ju jap vetëm dy sektorë që në Shqipëri janë në “boom” këtu u del më mirë, këtë di të them”.

“Greqia ka pasur mbështetjen më masive nga BE për infrastrukturën. Gjithë infrastruktura jonë që po transformohet është një transformim gjaku. Ajo Rruga e Arbrit atje që do hapet tuneli i Murrizit që më në fund do hapet, ishallah nuk kemi ndonjë surprizë tjetër, se aty është mbledhur gjithë syri i keq. Në 14 mars është plani për t’u hapur, është rrugë thjesht e vetëm shqiptare, me para të shqiptarëve dhe jo të taksave. Por të një kompanie, ajo është PPP-ja që Evropa i bën çdo ditë dhe që këtu janë mallkuar dhe anatemuar”, theksoi Kryeministri.

Kreu i Ekzekutivit deklaroi se Rruga e Arbrit do të jetë pa pagesë. “Nuk do të paguash asgjë, zotrote ti. Zero. Nuk do ketë ajo rrugë pagesë, të paktën sa të jem unë këtu rruga e Arbrit s’do ketë pagesë e do vijë dita, një ditë që të gjitha rrugët do bëhen me pagesë siç i ka gjithë bota, kjo nuk diskutohet po jo rruga e Arbrit sa të jem unë këtu të paktën”, tha Rama në përgjigje të qytetarit.

“Se thonë këtu për rrugët. Si more akoma s’e bëtë këtë. Shkoni pyesni pak Bashkimin Evropian sa kohë do të ndërtohet një? Shkoni pyesni pak. Jemi shumë afër, jemi shumë afër miqtë e mi, jemi dy vjet afër. E kuptoni? Kështu që fokusohuni të gjithë tek kjo.  Nuk ka rëndësi Edi Rama. Edi Rama sot është nesër s’është, thjesht fare. Ka rëndësi që kjo dritare oportuniteti 2 vjet që na është hapur nuk duhet mbyllur pa u futur ne brenda në Bashkimin Evropian. Kjo është e gjitha. Pastaj keni kohë sa të doni që t’i shihni dhe të tjerët edhe kur të më kërkoni dhe të thoni ku je, do të më ketë mbirë bari, po s’ka problem kjo është jeta”, tha Rama.

Sipas tij, “PPP-të kanë bërë që spitalet sot, megjithëse dërdëlliset përditë për sterilizimin, infeksionet post operatore kanë rënë në pikiatë, sepse edhe në Shqipëri sot kryhen operacione me pajisjet më të mira spitalore, si në Evropë”.

“Është tjetër realiteti ynë në raport me Greqinë, por në shumë aspekte që jemi barazuar, por në disa aspekte. Nuk i them unë një greku hajde puno në Shqipëri se është më mirë, por një shqiptari që është në vendin e vet këtu i them hajde këtu se është më mirë. Atyre që janë në ndërtim dhe turizëm, nuk po diskutoj ato që janë në IT, teknologji është më mirë këtu se ka një sistem taksimi më të favorshëm”, theksoi Rama.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›