E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: SPAK të ketë respekt për këdo që bëhet pjesë e një procesi hetimi

TIRANË, 25 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se SPAK është aty dhe do të jetë aty me mbështetjen e Partisë Socialiste, që është shumica e popullit shqiptar.

Në një komunikim live në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama solli në vëmendje faktin se “këneta dhe bufi” thonë se do ta shkrijnë SPAK.

“Kush e mban dhe kush e mbron SPAK? Ju e dini se këneta është e përbetuar nëpërmjet gojës së bufit vetë që do ta shkrijë SPAK-un apo se këneta thotë ‘na jepni votën të shkrijmë SPAK’. Bufi thotë na jepni votën të shkrijmë SPAK, por nëse do të isha edhe unë i interesuar për këtë, i trembur, i shqetësuar, siç përpiqen të më pikturojnë disa që janë pjesë e problemit dhe nuk kanë lidhje me zgjidhjen, kjo do të ishte e thjesht fare”, tha Rama.

Sipas tij, Berisha është i tmerruar nga drejtësia sepse nuk mund ta blejë dot të kaluarën.

“Një fishkëllim bufit dhe e di si vinte bufi me një fishkëllim, se e sillte tmerri që ka nga drejtësia, tmerri që ka nga SPAK, tmerri që ka me të kaluarën që nuk e blen dot, që nuk e ndryshon dot, që është aty dhe e persekuton çdo ditë e çdo natë. Dhe do të shikoni se nuk do të hapte gojë Amerika sepse ka ndryshuar qasje, ka ndryshuar rrugë për momentin, ka ndryshuar filozofi për mënyrën se si i qaset vendeve të tjera etj. Është puna e saj, puna e një superfuqie dhe nuk jemi këtu që mund ta diskutojmë apo mund ta gjykojmë”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se PS është vullneti i shumicës së popullit shqiptar dhe populli shqiptar kërkon që SPAK të jetë aty dhe të fuqizojë veten.

“Ne jemi këtu për të ushtruar këtë vullnet. Kjo është lidhja mes votës për ne dhe luftës kundër korrupsionit dhe luftës për të pasur një shtet të drejtë. Natyrisht që sot kemi provat e padiskutueshme të pavarësisë së SPAK dhe ju e dini shumë mirë”, tha Rama.

Por sipas tij, “pavarësia nuk mjafton duhet edhe profesionalizimi dhe integriteti”.

“SPAK duhet të luftojë me vetveten dhe të ketë parasysh që pavarësia duhet vënë e gjitha në funksion të një drejtësie të drejtë që nuk sheh majtas e djathtas, por sheh vetëm drejt dhe godet majtas e djathtas, por ama duke ruajtur të gjitha principet e bashkëjetesës europiane”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ka një pikë problematike kur vjen puna te aktiviteti i SPAK që ka të bëjë me respektin për tjetrin dhe prezumimin e pafajësisë.

“Kjo për këdoqoftë që bëhet pjesë e një procesi hetimi, qoftë edhe pyetet si një person që mund të dijë gjithçka. Sepse cilido qoftë është i barabartë dhe kushdoqoftë që merr dikë në pyetje duhet ta ketë mirë parasysh se duhet ta respektojë dhe do ketë një problem shumë të madh me ne te mungesa e respektit dhe te mungesa e vlerësimit bazik të së drejtës dhe lirisë kushtetuese të secilit. Të jetë i barabartë përballë kujtdo që përfaqëson shtetin qoftë polic, mjek, arsimtar, deputet, prokuror apo gjykatës”, shtoi ai. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›