Rama: Saliu kandidon në Korçë, oficerin e Gërdecit dhe kryehetuesin e veshit
Korçë- Skuadra e Rilindjes është ndalur në qytetin e Korçës për të çelur fushatën elektorale të zgjedhjeve të 23 qershorit.
Në fjalën e tij kryesocialisti Rama ka vlerësuar emrat që përbëjne listën e kandidatëve të PS-së në këtë qark, duke e krahasuar me atë të PD-së për të cilën tha se kryeministri ka sjellë në Korçë kandidat oficerin e Gërdecit dhe kryehetuesin e veshit.
Jam shumë krenar që ne Korçës i kemi sjellë këtë skuadër dhe ndërkohë më vjen shumë keq që Saliu nuk ka gjetur asgjë më të mirë për Korçën se sa oficerin e Gërdecit dhe kryehetuesin e veshit. Se si mund të shkosh kaq larg dhe ti thuash Korçës ky është zhvillimi përpara, duke i vënë para syve oficerin e Gërdecit dhe duke i kërkuar vota për kryehetuesin e veshit kjo është diçka që mund ta bëjë vetëm një kryeministër, që nuk është i zgjedhur nga shqiptarët. Vetëm një kryeministër, që nuk ka respekt për popullin e vet, vetëm një kryeministër që po numëron ditët e fundit të pushtetit të tij familjar, i cili është një pushtet i vjedhur për të vjedhur Shqipërinë dhe të cilit shqiptarët në 23 qershor do ti japin ndëshkimin e merituar. Sigurisht që jo vetëm kryeoficeri i Gërdecit dhe ai kryehetuesi i veshit, por edhe udhëheqësi i skuadrës kundërshtare dhe llogaritari i piramidave dhe ideatori i bllokimit të të gjitha fondeve për bashkinë e Korçës dhe të Pogradecit është përgjegjës dhe duhet ndëshkuar me votë nga qytetarët e Korçës, Pogradecit, të Devollit, të Ersekës dhe të gjithë këtij qarku,- tha Rama.
Duke udhëtuar drejt Korçës me autobusin e Rilindjes
Rama u ndal edhe në atë që ai e quan trajtimin e mësuesve si robër të pushtetit, të vendosen nën presionin e përditshëm për të qenë vegla të pushtetit dhe të tërhiqen zvarrë nëpër mitingje dhe koncerte kundër opozitës. Kjo është e papranueshme, kjo është e pagëlltitshme, kjo është e pafalshme dhe Korça më e para duhet ta ndëshkojë këtë sjellje barbare me edukatorët e fëmijëve të vet, me mësuesit e nxënësve të vet, me pedagogët e të rejave dhe të rinjve të vet. Korça duhet të japë në 23 qershor leksionin e madh jo vetëm për këta që po ikin, por për të gjitha qeveritë që do të vijnë, se kurrë më dora e pushtetit nuk mund të ngrihet mbi mësuesit dhe kurrë më frika nga pushteti nuk mund të kallet në shpirtin e mësuesve- u shpreh kreu i PS-së.
Ndërsa ftoi qytetarët korçarë të votojnë skuadsrën e rilindjes, Rama tha se rikthimi i kënetës është aktakuza më e fortë për qeverinë në ikje të Saliut dhe është arsyeja më e fortë për çdo korçar, të cilit i dhimbset Korça, për çdo qytetar të këtij qarku të cilit i dhimbset sakrifica dhe mundimet e brezave, ashtu sikundër dhe e ardhmja e fëmijëve për ta ndëshkuar në 23 qershor qeverinë- u shpreh ai.