Sonte gjysmëfinalja e dytë e Eurosong 2013, Shqipëria performon e 14-ta
Suedi- Shqipëria do të performojë sonte në skenën gjigande të “Eurovision Song Contest” 2013 në mbrëmjen e gjysmëfinales së dytë në Malmoa të Suedisë.
Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko përfaqësojnë vendin tonë me këngën ”Identitet”, që i përket rrymës muzikore rock.
Performanca do të jetë shqip dhe konkuron së bashku me 16 këngë të tjera për të hyrë në natën finale e cila do të zhvillohet të shtunën e 18 majit.
Kënga do të këndohet e 14-ta në radhitje, nga 17 këngë gjithsej midis të cilave favorite mbeten përfaqësuesit e Azerbajxhanit dhe Norvegjisë.
Kënga shqiptare sivjet ka pasur më pak promocion sesa Rona Nishliu vitin e kaluar, përderisa kjo e fundit pati promovuar këngën në shumë festivale evropiane duke fituar simpatinë dhe më pas edhe votat e publikut nga mbarë Evropa. Finalja e sivjetme e Eurosong mbledh 25 këngë, pesë që kualifikohen automatikisht dhe dhjetë për çdo gjysmëfinale. Loreen me këngën Euphoria ia solli vitin e kaluar fitoren e pestë shtetit suedez, në 60 vjet histori të këtij festivali.
Belgjika, Bellorusia, Danimarka, Estonia, Irlanda, Lituania, Moldavia, Ukraina, Rusia dhe Holanda tanimë janë dhjetë shtetet e para që kanë marë biletën për në natën finale të festivalit evropian të këngës.