Çlirohen nga fadromat lumenjtë Erzen, Mat dhe Tërkuzë, gjobiten 20 subjekte inertesh
Ministria e Mjedisit ka pezulluar dhe gjobitur mbi 20 aktivitete private që merren me shfrytëzimin e materialeve inerte në lumenjtë Erzen, Mat dhe Tërkuzë. Gjatë kontrollit të ushtruar përgjatë këtyre lumenjve nga Drejtoria e Kontrollit për Mjedisin, Inspektoriati i Mjedisit, Sektori i Burimeve Ujore, ARM Tiranë, AUB Tiranë, si dhe Sektori i Policisë Pyjore
në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në zbatim të vendimit për reduktimin e shfrytëzimit të rërave dhe zhavorreve në shtretërit e lumenjve u vërejt se në këta lumenj rreth 20 subjekte vazhdonin aktivitetin e tyre në kundërshtim me ligjin dhe si rrjedhojë, Inspekorati i Mjedisit ka lëshuar ndaj tyre rreth 24 milionë lekë gjoba, përpos vendimit për pezullimin e aktivitetit të tyre në të ardhmen.
Kontrollet dhe gjobat në 3 lumenjtë
Gjatë inspektimeve u vërejt se në lumin Erzen, subjektet që ushtrojnë aktivitetin e shfrytëzimit dhe fraksionizmit të inerteve janë pa leje mjedisore dhe pa leje shfrytëzimi. Kjo zonë, në të vërtetë është e ndaluar dhe nuk lejohet të shfrytëzohet, por nga kontrolli u konstatua se në impiantet e fraksionizmit të inerteve, subjektet kanë gjendje sasi të mëdha inertesh lumore dhe nuk kanë bërë çmontimin e makinerive sikurse është përcaktuar në vendimin e vitit 2006. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Mjedisit bënë të ditur dje, se ndaj shumicës së 13 subjekteve që shfrytëzojnë dhe fraksionojnë inerte në lumin Erzen, Inspektoriati i Mjedisit ka vendosur rreth 16 milionë lekë gjoba si dhe ka urdhëruar pezullimin e aktivitetit të tyre. Këto subjekte u gjobitën me nga 2 milionë lekë secili ndërkohë që ndaj tyre u vendos dhe pezullim i aktivitetit për shfrytëzimin dhe fraksionizmit e inerteve lumore. Bëhet fjalë për subjektet Alban Tirana sh.p.k, Erzeni sh.p.k, Mani 07 sh.p.k, Fusha sh.p.k, Kirshberger Albania sh.p.k, Ital-Betoni sh.p.k, Dital sh.p.k, Cara sh.p.k, si dhe Skënder Murati, të cilët janë gjobitur me nga 2 000 000 lekë si dhe u është pezulluar aktiviteti për shfrytëzimin dhe fraksionizmit e inerteve lumore, të cilin e ushtronin pa leje mjedisore dhe në zonë të ndaluar nga Vendimi i KKU, nr 1, datë 21.06.2006 Për reduktimin e shfrytëzimit të zhavorreve dhe rërave në shtretërit e lumenjve. Ndërkohë, gjatë të njëjtit kontroll në Mak-Albania, sh.p.k, Alb-Beton sh.p.k dhe Tirana DKK sh.p.k, rezultoi se në ambientet e tyre kishte gjendje të materialeve inerte të grumbulluara para shumë viteve për të cilat subjektet pretendonin se e kishin blerë nga subjekte të tjera, ndaj u urdhëruan që nëpërmjet faturave të blerjes të vërtetojnë në Inspektoriatin e Mjedisit origjinën e materialit të inerteve lumore. Burimet zyrtare nga Ministria e Mjedisit shtojnë gjithashtu se në lumin e Matit u kontrollua segmenti Rrëshen-Rubik. Kjo zonë mësohet se është zonë e lejuar por shumica e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e shfrytëzimit dhe fraksionizmit të inerteve janë pa leje mjedisore dhe kanë punuar jashtë afateve kohore të përcaktuara në bazë të vendimit të KKU, nr 1, datë 21.06.2006 Për reduktimin e shfrytëzimit të zhavorreve dhe rërave në shtretërit e lumenjve. Ndaj 7 subjekteve të kontrolluara që shfrytëzojnë dhe fraksionojnë inerte në lumin e Matit, Inspektoriati i Mjedisit ka vënë rreth 13 milionë lekë gjoba si dhe ka pezulluar aktivitetin e 6 prej këtyre subjekteve. Bëhet fjalë për subjektet Delia Grup sh.p.k, Fakto-Tum sh.p.k, A&K sh.p.k., BIV si dhe Gjon Prenga, të cilët u gjobitën me nga 2 000 000 lekë secili si dhe u sanksionuan me pezullim të aktivitetit, ndërsa Ardi-Orgito u gjobit me 500 000 lekë për shkelje të kushteve të lejes mjedisore. Po ashtu, gjatë kontrollit të Inspektoratit të Mjedisit në lumin e Tërkuzës, edhe këtu ka rezultuar shfrytëzim i paligjshëm i inerteve lumore nga 4 subjekte, të cilët janë gjobitur me 4 milionë lekë gjithsej si dhe u është pezulluar aktiviteti. Burimet zyrtare pranë Ministrisë së Mjedisit pohuan se bëhet fjalë për LIM EM, MC-Inerte sh.p.k, Luani sh.p.k si dhe InCo sh.p.k, të cilët u gjobitën me nga 1 000 000 lekë si dhe me pezullim të aktivitetit për ushtrim të tij pa leje mjedisore për marrjen e inerteve në zonë të ndaluar. Burime zyrtare nga Ministria e Mjedisit cilësuan se kontrollet do të vazhdojnë dhe në të ardhmen, në të gjitha basenet.