Rama: Shkarkimi i gjeneralëve brutal. KQZ-ja? Fitojmë edhe me aktualen
Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka reaguar sot mbi shkarkimin e pak ditëve më parë të tre gjeneralëve, duke e cilësuar vendimin e Presidentit Bujar Nishani si një veprim brutal.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, ai ka thënë se Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme janë kthyer në institucione të pushtuara nga korrupsioni.
Pas krijimit të Kosovës dhe një situate të re gjeopolitike nuk ka pasur asnjë lloj reflektimi siç duhet të ndodhte në ngrehinën ligjore të ushtrisë me Ministrinë e Mbrojtjes, gjithçka në rrënim. Ne jemi njohur dhe sa na takon kemi bërë tonën për të rritur ndjeshmërinë e popullit me korrupsionin në Ministrinë e Mbrojtjes. Në katandisjen në një çerdhe ku vëlon korrupsioni, grabiten pronat. Transferimi nga prona të qytetarëve në prona të Ushtrisë dhe më pas në prona njerzish që skanë të drejtë ti gëzojnë. Deri tek rryshfetet për të çuar ushtarë në misionet tona në frontin e luftës kundër terrorizmit dhe me radhë. Të gjitha për asrye përfitimi. Dëshiroj ti shpreh solidaritetin tim të tre gjeneralëve të liruar brutalisht nga Presidenti. I cili është një kadet i kryeministrit dhe njerëzit të vetëdijësohen që përveç problemeve të ditës ekzison dhe problemi i degradimit të Forcave të Armatosura, i katandisur në çerdhe korrupsioni i MM-së apo dhe Ministrisë së Brendshme. Sigurisht që ne e kemi të qartë se cili është roli ynë në marrjen e të gjithë reformave dhe ngritjen e asaj Ministrie në lartësinë e misionit fisnik dhe jo në llubëtirë ku llbaçitet ministri dhe shefi i shtabit duke u kthyer shpinën FA-ve dhe i kanë kthyer në një vend emërimesh dhe përfitimesh për llogari të pushtetit,- tha Rama.
Pyetjes lidhur me kandidimin e pavarur të Arben Malaj, ai u shpreh se çdo kandidat i pavarur i shërben demokratëve, duke shtuar se janë vota të larguara nga koalicioni i majtë.
Të pavarurit janë në funksion të Saliut. Me apo pa dashje. Çdo votë që buron nga kundërshtia për qeverinë dhe nuk shkon në koalicionin tonë është e çuar dëm ku përfiton pushteti. Është e qartë dhe ska lidhje personale. Çdo votë jashtë koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane dhe PS-së si pjesë e saj është një votë e çuar dëm dhe i shërben vetëm pushtetit. Kush do të ndëshkojë pushtetin ka një zgjedhje të qartë. Kush mendon ta ndëshkojë duke e çuar votën tek të pavarurit e çon votën dëm dhe i shërben qytetit. Sepse janë vota të hequra nga koalicioni. Janë koalicionet që zgjidhin probleme jo njerëz që shkojnë pas karriges së tyre,- tha ai.
Rama u është përgjigjur edhe pyetjes së gazetarëve lidhur me përplasjen në largësi me kryeministrin mbi monumentin e demokracisë në Kavajë. Ai ka thënë se gjithçka ishte spekulim i medias, pasi sipas tij, ai ka thënë që do të bëhet rregullimi i sheshit. Gjithçka, tha Rama, i takon pushtetit vendor dhe jo atij qëndror.
Ai monument është shëmti estetike dhe ska lidhje me simbolin, ka lidhje me formën. Është një shëmtirë që Kavaja nuk e meriton. Sheshi demokracia do mbetet i tillë. Demokracinë nuk e solli Saliu, e sollën studentët, shqiptarët, era e ndryshimit të përbotshëm. Kavaja ka një ndryshim të madh. Gazeta Panorama ka spekuluar dhe e ka transformuar në një pseudo replikim. Ne kemi thënë dhe i qëndrojmë. Do ta rindërtojmë sheshin “Demokracia”. Është projekt me potencial të jashtëzakonshëm, për ti dhënë Kavajës përmasën e një sheshi mesdhetar. Ai monument është tamam siç e tha kryetari i bashkisë. Nuk janë as dy gishta as monument siç e meriton Kavaja. I takon Bashkisë ta çojë përpara të çojë atë projekt. Nuk i takon Saliut të vendosë,- tha Rama.
Pyetjes mbi deklaratën e pak ditëve më parë të kandidatit të pavarur Dritan Prifti, se kreu i LSI-së Ilir Meta, mund të kalojë në kampin e djathtë nëse ai do të jetë sërish kyç për përcaktimin e qeverisë. Kryesocialisti tha se nuk flet mbi deklarata individësh, duke refuzuar të përgjigjet.
Lidhur me situatën në KQZ-ja Rama nuk ka dhënë asnjë zgjidhje, duke shtuar se opozita do të fitojë edhe me KQZ-në që është aktualisht.
Është një seksioni i PD-së i mbajtur me dhunë. Do ti mundim me atë seksion të PD-së dhe nuk do e përsërisin 8 majin e 2011. Nuk besoj tek Kolegji Zgjedhor, por tek populli. As Kolegji Zgjedhor dhe KQZ-ja e Saliut nuk fiton dot,- tha ai.
Rama foli edhe për votimin e tre ligjeve, duke thënë se ky vendim erdhi pas zgjidhjes së ngërçit në Qarkun e Fierit, ndërsa u shpreh se integrimi i vendit nuk bazohet vetëm tek këto tre ligje, por ka dhe një sërë kriteresh të tjera.