Rama: Shkolla “Ndre Mjeda” me standardet bashkëkohore

TIRANË, 26 mars/ATSH/ Në qytetin e Shkodrës vijon puna për rikonstruksionin e shkollës “Ndre Mjeda”, e cila po rilind me standarde bashkëkohore.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci inspektoi nga afër punimet që po kryhen në këtë shkollë.
“Shkolla “Ndre Mjeda” nga një godinë e amortizuar pa ngrohje, pa palestër, mësim me dy turne, do të rilindë nga e para, me të gjitha standardet bashkëkohore e pajisur me klasa të bollshme, laboratorë, bibliotekë, palestër dhe hapësira rekreative”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “shkolla e re do të jetë në funksion të 800 nxënësve, ndërkohë që në plan për t’u rindërtuar në qytetin e Shkodrës janë edhe pesë shkolla të tjera”.
Rama tha se “po shikoja planin e rindërtimit të shkollave dhe Shkodra është e vetmja që ka ngelur mbrapa”.
Kryebashkiaku Beci u shpreh se “në këtë shkollë kanë qenë 800 nxënës që kanë zhvilluar mësimin me dy turne. Shkolla ka qenë pa ngrohje, pa palestër komplet e armotizuara. Godina është prishur gjysma dhe po ndërtohet e re. Tani do të ketë dyfishim të ambienteve me 36 klasa. Do të ketë një palestër shumë të mirë dhe sistem ngrohje”.
Beci tha se “po punojmë në dy shkolla dhe katër ambiente sportive, kemi aplikuar edhe për dy shkolla të tjera”.
Projekti për rikonstruksionin e plotë të shkollës përfshin edhe ndërtimin e shtesës në godinën 3-katëshe, një palestër të re me një tarracë të shfrytëzueshme, si dhe instalimin e një sistemi ngrohjeje dhe ftohjeje të ri. Po ashtu, do të kryhet edhe sistemimi i sheshit të shkollës.
/k.s//r.e/