Rama: Shpatën që ne ia kemi dhënë në dorë Drejtësisë, këneta e sheh si të vetmen armë për të na luftuar

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në dëgjesën e Grupit Parlamentar me rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku se, një drejtësi që pret kokat majtas dhe djathtas që populli të dojë vetëm atë e kanë bërë jakobinët, por në Shqipëri drejtësia duhet të shohë provat nëse duam që t’i lëmë pas gjeneratave të tjera një vend me drejtësi të pavarur, profesionale dhe garante të lirive dhe të drejtave të njeriut.
“Çfarë ka ndodhur dhe çfarë ndodh sot? Këtë e kam tani, se këtu jemi përfaqësues të PS-së, e kam për të gjithë socialistët, progresistët dhe të gjithë patriotët e Shqipërisë, që e duan Shqipërinë në BE. Tani ndodh që bufi, zhabat, bretkosat, zhapikët, vemjet, insektet, kërmijtë, gjinkallat, këtë shpatën që ne ia kemi dhënë në dorë kësaj zonjës e shohin si të vetmen armë për të na luftuar ne dhe për të na goditur dhe për të na larguar nga detyra. Të vetmen”, tha Rama.
“Si shpjegohet që nga një anë kërkojnë t’i presin kokën, nga ana tjetër çdo ditë i çojnë nga letrat anonime tek denoncimet publike për ta nxitur që të ngrejë shpatën kundër nesh? Dhe zonja i ka sytë katër me gjak dhe i ka veshët katër dhe zonja ndjek mediat, zonja ndjek mediat dhe ndjek çfarë thotë kanali dhe portali sepse zonja ndjehet që ka një shpatë me të cilën duhet të presë kokat majtas dhe djathtas të të gjithëve që populli të dojë vetëm zonjën”, tha Rama.
“Këtë drejtësi të kësaj zonjës kështu”, nënvizoi kreu i qeverisë, “e kanë bërë jakobinët, po këtu në Shqipëri jo. Këtu në Shqipëri zonja duhet të mbyllë sytë, gjykatësit dhe gjykatëset duhet të mbyllin sytë. Të mos shohin as kush është ky, as kush është ai, të shohin provat dhe të ndajnë shapin nga sheqeri në peshore këtu. Nëse duam që t’i lëmë pas gjeneratave të tjera një vend me drejtësi të pavarur, profesionale dhe garante të lirive dhe të drejtave të njeriut”.
Pra shtoi Rama, “me sytë mbyllur, me shpatën në dorë dhe me peshoren për të vënë në ekuilibër hamendjet, indicjet, akuzat, provat dhe të gjitha me radhë”. /j.p/
1 nga 7