SPAK 24 masa sigurie për stafin e UBT-së, Rama: A thua se u fut në fshatin e Korleones

TIRANË, 26 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj vendosjes së 24 masave të sigurisë për stafin dhe pedagogët e Universitetit Bujqësor të Tiranë, ndërsa shtoi se një numër të tillë masash sigurie vendos prokuroria antimafia në Itali.
Në dëgjesën e Rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u shpreh se nuk ka se si t’i shpjegohet partnerëve austriakëve të UBT-së që një forcë speciale futet në një universitet dhe merr 24 masa sigurie për para-burgim, për arrest shtëpie dhe për detyrim paraqitje.
“A thua se u fut në fshatin e Korleones. Këto 24, 34 e 44 i bën prokuroria antimafia në Itali. Po në një universitet? Nuk e di. Kur e pyeta rektorin “Për çfarë shume bëhet fjalë”. Rektori më tha: është nën 300 milionë të vjetra. Pastaj pashë që është dhe më shumë. Rektori thotë që nuk e di ku kanë dalë më shumë por kaq janë projektet. Dy vjet ka ai që ka lënë telefonin në SPAK. Nuk i kthejnë telefonin. Nuk është fare person në hetim. E dëgjuat që i kanë dhënë dhe letrën që vazhdo mund të kandidosh dhe për rektor. Mund të jetë dhe ai në fund që mund të dalë fajtor, unë nuk e di fare”, u shpreh Rama.
Por sipas kryeministrit ne nuk mund të nisemi nga ideja që çdo person në këtë republikë është i fajshëm dhe duhet të provojë pafajësinë e vet.
Rama kujtoi se Europa ku ne duam dhe do të integrohemi ka një parim tjetër, çdo person është i pafajshëm dhe i takon autoriteteve të provojnë fajësinë e tij. /j.p/