E Martë, 3 Nëntor 2026

Vendimi i Strasburgut për arrestimin e Thoma Gëllçit, Rama: Pavarësia, jo “carta bianca” për shkeljen e të drejtave të njeriut

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku u zhvillua një dëgjesë me rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masat e sigurisë për zyrtarë të universitetit, kryeministri Edi Rama tha se drejtësia nuk do të ketë më heshtjen e qeverisë, nëse pavarësia e saj kthehet në “carta bianca” për të shkelur të drejtat e njeriut.

Duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Strasburgut për ish-drejtorin e Radio Televizionit Shqiptar Thoma Gëllçi, Rama tha se autoritetet shqiptare nuk kishin prova për të mbështetur pretendimin se Gëll֛çi përbënte rrezik arratisje.

Sipas Ramës, në bazë te vendimit të Gjykatës së Strasburgut, arrestimi i Gëllçit tregoi mungesë të qasjes profesionale ndaj privimit të lirisë.

“Dje gjykata e Strasburgut, që është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shikoni se çfarë ka thënë për paraburgimin e ish-drejtorit të RTSH. Unë nuk kam marrë kurë përsipër të them nëse ishte i fajshëm apo i pafajshëm. Nuk thotë askush mos heto askush mos dëno ata që kanë futur duar në xhepin e taksapaguesve apo që kanë abuzuar më besimin e zgjedhësve. Askush! Por ama atje në Strasburg, atje ku Europa që do të na bëjë në pjesë, na shikon përmes instrumentit që ka krijuar për të mos lënë drejtësinë të rrëshqasë drejt Moskës në emër të ndëshkimit, por për ta bërë drejtësinë në barabartë. Strasburgu thotë se autoritetet shqiptare nuk kishin prova për të mbështetur pretendimin se Gëll֛çi përbënte rrezik arratisje. Argumentimi se ai kishte udhëtuar jashtë vendit, nuk ishte i mjaftueshëm, pasi ai u kthye vullnetarisht në Shqipëri dhe ishte i dorëzuar tek autoritetet” tha Rama.

Rama shtoi më tej se “autoritetet nuk kishin shqyrtuar as masa më të buta sigurie si për shembull konfiskimi i dokumenteve të udhëtimit, arresti shtëpiak apo detyrimi paraqitje, tek autoritetet përkatëse. Kjo tregon një mungesë të qasjes profesionale ndaj privimit të lirisë”.

Rama nënvizoi se “unë e kam parë vetë filmin kur të kapin në rrugë dhe të marrin në pyetje, e kam parë kur të humbte trupi pa gjurmë kur nuk kishte as Afrima as Largima dhe kur nuk kishte as portale as kanale as Europë as Amerikë dhe kur nuk kishte as kushtetutë dhe as ligj që të mbronte të drejtat e njeriut, e kam parë se çfarë ndjen njeriu kur e marrin në rrugë dhe e fusin në furgon dhe i thonë hajde pak me ne dhe të çojnë aty dhe të del një hetues dhe fillon të bën presion. Nuk e kam pranuar kur kam qenë askush me duar në xhepa, ta pranoj unë sot që jam kryeministri i Shqipërisë, pasi kam udhëhequr bashkë me ju këtu luftën më të paimagjinueshme në këtë shtet që nga 1912 për t’i dhënë pavarësi drejtësisë pasi bashkë me ju këtu dhe ju e dini shumë mirë sa debate kemi pasur rrugës”.

Rama shtoi se “për herë të parë kemi hequr duar e pushtetit politik nga drejtësia, pasi për 5 vite me radhë kemi thënë nuk komentojmë asnjë proces, asnjë vendim të drejtësisë dhe kur unë e shoh se për fat të mirë ose të keq jam pak më i gjatë se të tjerët dhe shoh pak më larg se të tjerët, siç kam parë deri më sot, se kjo metodë që po kthehet në sistem, është gabim, se ja si vjen puna, arsyetimi për të vazhduar paraburgimi mbeti i pandryshuar, gjatë gjithë periudhës, pa vlerësuar nëse faktorët e fillimit vazhdonin të ishin të vlefshme dhe gjykatat nuk morën në konsideratë zhvillimet e çështjes apo kalimin e kohës”.

“Autoritetet nuk kishin trajtuar çështjen me shpejtësi të mjaftueshme dhe nuk kishin garantuar që procedurat të zhvilloheshin me përparësi duke kontribuar kështu me një zgjatje të panevojshme të paraburgimit, tani merrini dhe shikojeni sa zgjatje kanë paraburgimet e kësaj drejtësie që ka gjithë mbështetjen tonë për të qenë e pavarur, por nuk ka për ta pasur më heshtjen tonë kur pavarësia kthehet në ‘karta bianka’ për të shkelur të drejtat e njeriut”, u shpreh Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›