Rama: Shqipëria e para në rajon për prokurimet publike, kemi bërë transformim epokal

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është e para në rajon, me diferencë nga vendi i dytë dhe nga vendet e tjera në prokurimet publike.
Në konferencën e përbashkët për mediet me negociatoren për Kapitullin 5: “Prokurimi Publik”, njëkohësisht drejtore e përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta (Shahollari), mbi zhvillimet kryesore në fushën e prokurimit publik, Rama tha se “Shqipëria, siç e patë edhe nga pasqyra e vendeve të BE-së, nuk është një vend ku prokurimet publike zhvillohen me përsosmëri, por natyrisht që ne kemi ende një sërë problemesh për të adresuar”.
“Por çfarë tregojnë këto rezultate dhe çfarë tregon ajo pasqyrë që e vendos jo nga ne, por nga institucionet që merren me këtë pune për llogari të BE-së, Shqipërinë në vendin e parë në rajon dhe në mesataren e vendeve të BE-së është se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri nuk është një luftë e cila zhvillohet vetëm në frontin e ri të krijuar me vullnetin e kësaj shumice, që është fronti i drejtësisë, por është një luftë që zhvillohet me reformat modernizuese në bazë të asaj filozofie që e kam bërë të qartë qysh përpara se të vija në këtë detyrë: nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemet janë sistemet që korruptojnë njerëzit”, nënvizoi Rama.
Kryeministri vuri në dukje se sistemi i prokurimit publik që qeveria ka ngritur vit pas viti në një proces transformues rrënjësor është gjithmonë e më pak i korruptueshëm.
“Termat e referencës janë pjesë e sfidës. Për këtë arsye ne kemi vendosur prej disa vitesh një proces të brendshëm krejt të ri, pra nuk ka më terma reference që shpallen arbitrarisht, por ka terma reference që shpallen pasi janë marrë në konsideratë të gjitha ankesat e operatorëve dhe ankesat e operatorëve nuk i merr në konsideratë autoriteti që shpall tenderin, por ankesat e operatorit trajtohen nga Agjencia e Prokurimeve Publike, që është autoriteti i epërm dhe nga Komisioni i Prokurimeve Publike, pra janë dy autoritetet”, tha Rama.
Duke ardhur tek Komisioni i Prokurimeve Publike, shtoi Rama, më lejoni të sjell në vëmendje faktin që njeriu që transformoi këtë komision u bë fatkeqësisht target i baltës për një periudhë kohe, pasi për arsye siç ndodh normalisht në një shtet me një drejtësi të pavarur u mor nën hetim si rezultat i një denoncimi.
Por, vijoi Rama, po si rezultat i hetimit rezultoi tërësisht pa lidhje me asnjë lloj faji apo me asnjë lloj problemi.
“Por balta që iu hodh dhe gjithçka që u bë për ta shkatërruar personalisht dhe familjarisht, siç ndodh në këto raste, e bëri të vetën dhe nuk më ka rënë në sy asnjë lloj reflektimi apo kërkese ndjese nga askush. Dhe kjo nuk është diçka që ndodh vetëm në Shqipëri, por ndodh kudo lidhur me atë që iu bë atij njeriu”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “e solla këtu, se nuk është i vetmi si shembull për faktin që në këtë proces ne kemi bërë transformim epokal, duan apo s’duan ata që s’duan”.
/k.s/r.e/