Rama: Shqipëria, ende nën pushtimin diktatorial
Në prag të 19-vjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit komunist, Enver Hoxha, kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se Shqipëria nuk është shkëputur ende nga hijet e regjimit të egër diktatorial. Madje, për të perifrazuar deklaratën e tij, ai tha se ashtu si dikur shteti nuk është në dorën e të gjithëve, por të disa personave, në sinkron kjo me të gjitha qëndrimet politike të selisë rozë kundër qeverisë “Berisha”. Sipas PS-së i gjithë shteti është përqendruar te familja e Kryeministrit dhe miqve të tyre. “Beteja për emancipim duhet të vazhdojë, tha Rama ndërsa shtoi se “shteti sot, si dikur, nuk është i të gjithëve, por në funksion të disa personave”. “Pa asnjë dyshim, sot 20 vjet më vonë, ne mund të themi me plot gojën se në fakt Shqipëria ende nuk është shkëputur nga hija e mendësisë të atyre viteve. Shteti vazhdon të mos jetë i të gjithëve, por në funksion të pushtetit të disave”, nënvizoi ai. Duke përkujtuar 19-vjetorin e rënies së bustit të diktatorit komunist, Hoxha, në qendër të Tiranës, Rama zhvilloi një aktivitet të posaçëm dhe në një prej lagjeve të Tiranës, në Kombinat. E identifikuar si lagje që duhet të mishëronte edhe nga ana arkitekturore regjimin e egër komunist, lagjja Kombinat do të ketë një interes të posaçëm ku e shkuara dhe e ardhmja do të bëhen bashkë. Me iniciativë të Bashkisë së Tiranës shumë shpejt do të shpallet një konkurs ndërkombëtar për të ngritur një piedestal në sheshin pranë Kombinatit që mbante emrin e Stalinit. Në 19-vjetorin e rrëzimit të diktatorit Hoxha, kreu i Bashkisë, Edi Rama, shpalli këtë projekt që sipas tij do të lidhë shumë mirë të shkuarën me të ardhmen. “është shumë e rëndësishme për të gjithë shoqërinë tonë që të mos e humbasë ekuilibrin mes të shkuarës dhe të ardhmes, si një ekuilibër mes kujtesës së të gjithë atyre fateve të ndërprera dhunshëm, ëndrrave të thyera dhunshëm dhe shpresave të varrosura dhunshëm në të shkuarën. Fatet dhe ëndrrat janë të lidhura me të ardhmen, kështu ka lindur dhe ideja për të hapur një konkurs ndërkombëtar i cili do të na mundësojë ta vlerësojmë këtë hapësirë në Kombinat, si një hapësirë ku mund të bashkëjetojë në të njëjtin vend edhe e shkuara, si formë e kujtesës dhe e ardhmja”, theksoi Rama. 19 vite më parë fotoreporterë fiksuan në Tiranë, pranë sheshit “Skënderbej”, rrëzimin dhe tërheqjen zvarrë të bustit 7 metra të lartë të diktatorit Enver Hoxha. Parlamenti shqiptar pritet të miratojë projektligjin e qeverisë që shpall datën 20 shkurt si ditën e përkujtimit publik të krimeve të shkaktuara nga ish-regjimi komunist. Ligji që ka për qëllim përcaktimin e disa simboleve në përkujtim të këtyre viktimave, u rikthye në qendër të vëmendjes pas zbulimit të disa eshtrave që i përkisnin kohës së diktaturës dhe krimeve të kryera prej këtij regjimi.
Komisioni i Ligjeve ka miratuar ndërkohë projektligjin e qeverisë për simbolet e komunizmit, por dhe për caktimin e një date përkujtimore për viktimat e këtij sistemi. Në bazë të draftit të ekzekutivit, 20 shkurti, dita e rënies së bustit të Enver Hoxhës do të jetë dhe "Ditë e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”. Ndërkohë, gjatë diskutimit për ligjin e simboleve të përkujtimit të viktimave dhe krimeve të komunizmit në Shqipëri, u hodhën edhe disa ide që të ngrihet një monument edhe në Linzë, ku disa ditë më parë, u zbulua varreza masive e disa viktimave të regjimit komunist. Me këtë draft të ri, të miratuar në Komisionin e Ligjeve, mazhoranca është tërhequr nga ideja e saj për të shpallur 29 nëntorin si ditën e kujtesës për viktimat e komunizmit. “Këshilli i Ministrave shpall datën 20 shkurt, ditën e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha, në Tiranë si “ditë të përkujtimit publik”, të viktimave dhe të krimeve të shkaktuara nga ish-regjimi komunist në Shqipëri, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në projektligjin “Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri.