Kredi me 0% interes për ish-qiramarrësit, aplikimi kryhet në e-Albania

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Ish-qiramarrësit në ish-pronë private mund të përfitojnë kredi me 0% interes, në kuadër të instrumenteve mbështetëse për strehimin e familjeve përfituese.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se Enti Kombëtar i Banesave ka informuar qytetarët mbi dokumentacionin e nevojshëm për aplikimin për kredi me interes zero.
Sipas informacionit të publikuar nga Enti Kombëtar i Banesave, dokumentacioni që duhet të paraqitet gjatë aplikimit përcaktohet në bazë të VKM-së datë 31.07.2025.
Gjashtë janë dokumentet e nevojshme për aplikim:
-Vërtetim për përfitimin e statusit të banorit në ish-pronë private;
-Dokumentacion që vërteton marrëdhënien e qiramarrjes;
-Vërtetim negativ i pronësisë, që dëshmon se aplikanti nuk zotëron pronë;
-Vërtetim nga organet tatimore që aplikanti nuk është subjekt i TVSH-së;
-Certifikatë familjare dhe dokumentacioni për kthimin e pronës.
Subvencionimi i interesave të kredisë me 0% financohet nga Buxheti i Shtetit, duke synuar lehtësimin e kostos së kredisë për familjet që përfitojnë nga ky instrument strehimi.
Skema synon të ofrojë mbështetje financiare për ish-qiramarrësit në ish-pronë private, duke lehtësuar aksesin e tyre në financim për strehim.
Enti Kombëtar i Banesave u bën thirrje qytetarëve të interesuar të njihen me dokumentacionin e nevojshëm dhe të ndjekin procedurën e aplikimit përmes platformës e-Albania.
/e.xh/