E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria u gdhi sot me një noter partiak si President

Kreu i PS-së Edi Rama ka deklaruar se sot Shqipëria u gdhi me një noter partiak si president i vendit. Duke folur në konventën zgjedhore të FRESSH-it, kryesocialisti Rama e cilësoi mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit si një mesazh i gabuar që vendi i ka dhënë Evropës.

"Ne bëmë gjithçka mundëm me javë të tëra që t’i jepnim vendin një shtytje të fortë në rrugën ende të përpjetë të bashkimit me Evropën, u investuam deri në fund me gjithë zemër për një konsensus politik që do t’i jepte vendit, jo thjesht një president të palëve, por shans real për statusin e BE në vigjiljen e 100 vjetorit të pavarësisë. Sot vendi u gdhi me një noter partiak në rolin e presidentit duke i dhënë BE mesazhin më të gabuar para provimit të tretë të vjeshtës në Bruksel, dje u humb një mundësi e madhe. Politika e verbër e dasisë dhe kacafytjeve u imponua mbi politikën e dialogut të cështjes së Shqipërisë dhe shqiptarëve”shtoi Rama.

Ai ka theksuar më tej se pas zgjedhjes së presidentit të ri të vendit është e domosdoshme ndryshimi i politikës në Shqipëri. “Europa është më larg se dje dhe vendi ndodhet më larg nga familja europiane, ndërsa ne socialistët dhe progresistët jemi më të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e ndryshimit në politikën shqiptare, për ta rilindur politikën me një politikë ku zëri i së ardhmes të fitojë ndaj zhurmës shurdhuese të së shkuarës” shtoi Rama.

Ndërsa i është referuar zgjedhjeve të ardhshme, Rama ka theksuar se Partia Socialiste do të ecë me plane të qarta për t`i fituar ato ndërsa shtoi se ndihma e FRESSH-it do të jetë vendimtare. “Do të na duhet ndihma juaj për tu zgjedhur dhe për ta bërë realitet programin për një rilindje shqiptare, por sot jam më i bindur por kjo ndihmë do të jetë vendimtare për fitoren që askush nuk do të na e vjedh dot kurrë. Sot do të votoni për 1 nga 6 kandidatët. Kam pasur fatin ti njoh dhe kam pasur mundësinë t`i dëgjoj në debate por po të kisha sot të drejtën e votës do ta kisha të vështirë të zgjidhja një prej tyre. Por kushdo qoftë fituesi, ai do të jetë së bashku me të tjerët skuadra drejtuese e FRESSH-it drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme. ” shtoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›