Skafet, rrëzohet nisma e PS-së për heqjen e moratoriumit

Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar sot nismën e PS-së për heqjen e moratoriumit të skafeve. Deputetët e mazhorancës votuan kundër nismës së PS-së për heqjen e moratoriumit ndërkohë që mbledhja e komisionit është shoqëruar me debate mes pozitës dhe opozitës.
Deputeti i PD-së Tritan Shehu është shprehur se moratoriumi i skafeve është një masë ndaluese për trafiqet përmes detit. “Të mos krijojmë sërish damka që kishte prej vitesh në sy të të huajve Shqipëria” theksoi Shehu.
Ndërkohë deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri deklaroi se nëse sot ka trafik të lëndëve narkotike për këtë përgjegjësi mban shumica që nuk merr masat e duhura. “ Nisma e grupit të PS-së kundërshtohet në mënyrë të pabazë. Trafiqet bëhen edhe në rrugë të tjera, bllokoni edhe rrugët si keni bllokuar detin”shtoi Tahiri.
Në propozimin e bërë nga Partia Socialiste kërkohej që të hiqej bllokimi i mjeteve lundruese në Shqipëri, duke e cilësuar si një masë të tepërt dhe dëmtuese ndaj bizneseve. Sipas relacionit të projektit të opozites, ky ligj ka bllokuar zhvillimin turistik e ekonomik të Shqipërisë.
Moratoriumi është vendosur prej gjashtë vitesh nga mazhoranca aktuale dhe ka pasur si qëllim bllokimin e trafiqeve që bëheshin me skafe drejt Italisë dhe Greqisë.
Moratoriumi i skafeve që nga momenti i miratimit dhe deri më sot është shoqëruar vazhdimisht me debate mes mazhorancës dhe opozitës. Opozita është shprehur vazhdimisht kundër, duke sjellë si argument kufizimin e të drejtës së lëvizjes së lirë të mjeteve të tjera motorike në ujë.