Rama fton Nanon në festën e 21-vjetorit të PS-së

Ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano dhe Kryetari aktual i Partisë Socialist, Edi Rama
Kryetari i Partisë Socialist, Edi Rama, i ka dërguar një ftesë Fatos Nanos për të marrë pjesë në festën që do të zhvillohet me rastin e 21-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste.
Mësohet se, ftesa të shumta janë shpërndarë për të gjithë figurat e vjetra të PS-së, ku ka qenë edhe ajo për ish-kryetarin historik të kësaj partie, Fatos Nano. Nuk dihet nëse Nano do ti drejtohet sot selisë së PS-së, për ti kthyer një përgjigje pozitive ftesës së Ramës, aq më tepër pas mospropozimit të tij, si kandidat për president, nga ana e drejtuesve aktualë të saj.
Kjo në fakt do të jetë një ceremoni e vogël në nder të këtyre 21 viteve të jetës së partisë më të madhe opozitare, që po pretendon për të marrë pushtetin vitin që vjen.
Kreu socialist, Rama ka parashikuar që sot të mbajë një fjalim në Kongresin e FRESSH-it, por mendohet se, Rama do të mbajë fjalim edhe në festën e pasdites, në mjediset pranë selisë së PS-së. Po kështu, duke filluar që sot, kreu socialist pritet që të shpallë qëndrimin e ri të PS-së, pas negociatave të dështuara me mazhorancën për zgjedhjen e presidentit të ri. /E.L/