Prokuroria: Arrestoni "rrëmbyesit" e Remzi Hoxhës
Përfaqësuesi i akuzës në procesin ndaj rrëmbimit të Remzi Hoxhës, kërkoi ndryshimin e masës për dy nga të akuzuarit
Gjykata nuk pranoi kërkesën e akuzës për pezullimin nga detyra të Arben Sefgjinit dhe mbajtjen e tij në arrest shtëpie
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, rrëzoi kërkesën e prokurorisë për pezullimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës, Arben Sefgjini, si dhe caktimin e masës së sigurisë "arrest shtëpie" ndaj tij dhe bashkë të pandehurit Avni Koldashi.
Prokurori Xhevat Hana, dy javë pas caktimit të masës së sigurisë "arrest me burg" në mungesë ndaj Ilir Kumbaros, kërkoi dje nga trupi gjykues ndaj të pandehurve Sefgjini e Koldashi një masë shtrënguese.
"Në mbështetje të vendimit të dy javëve më parë ndaj të pandehurit Ilir Kumbaro, kërkojmë nga Gjykata që edhe ndaj të pandehurit Arben Sefgjini të caktohet masa e sigurisë "arrest shtëpie" dhe pezullim nga puna e drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës.
Gjithashtu, kërkojmë që edhe ndaj të pandehurit Avni Koldashi të caktohet masa e sigurisë "arrest shtëpie", për shkak se ndaj të dy të pandehurve kanë dalë prova të ndryshme materiale me dëshmi dhe ekziston rreziku i largimit për t'iu shmangur drejtësisë"- tha prokurori Hana.
Menjëherë reaguan avokatët e dy të pandehurve, që u shprehën të habitur për këtë kërkesë të prokurorisë. Ata e cilësuan tendencioze kërkesën e prokurorit të çështjes.
"Katër prokurorë kanë dhënë dorëheqje për ndjekjen e këtij procesi penal në gjykatë, pasi kanë qenë të bindur se nuk ka vepër penale, por, është vetëm ky prokuror që për arsyet e tija tendencioze e ka sjellë çështjen në gjyq dhe tani në përfundim të fazës së gjykimit kërkon caktimin e masave të sigurisë ndaj klientëve tanë.
Kjo është një tendencë e prokurorit për të fshehur gabimet e tij në këtë çështje, pasi si i pandehuri Sefgjini ashtu edhe Koldashi janë treguar shumë korrektë me gjykatën duke qenë të gatshëm të përballen me drejtësinë.
Kështu që kërkojmë rrëzimin e këtyre kërkesave,- tha avokati Zef Nika, mbrojtës i Sefgjinit. Të njëjtin mendim kishte edhe avokati i Avni Koldashit, Hasaf Hadëri, që kërkoi rrëzimin e kërkesës. Pas parashtrimit të kërkesave të palëve, gjykata u tërhoq për vendim, dhe më pas vendosën rrëzimin e kërkesës së prokurorit Hana.
"Në një moment të tillë nuk mund të bëhet kërkesë për ndryshim të masës së arrestit. I pandehuri Arben Segjini dhe Avni Koldashi janë sjellë korrektë me drejtësinë dhe nuk ekziston mundësia e largimit të tyre nga Shqipëria",-thuhet në vendimin e ndërmjetëm të trupit gjykues.
Pas këtij vendimi të ndërmjetëm, seanca gjyqësore u ndërpre për të vazhduar javën e ardhshme po të martën në ora 9:00 me përpilimin e pyetjeve që do t'i dërgohen tre dëshmitarëve që ndodhen në Itali me anë të letër-porosisë.
Pranë kësaj Gjykate tashmë janë zhvilluar 48 seanca gjyqësore, ku kanë dëshmuar një sërë dëshmitarë të ndryshëm, që kanë provuar akuzat e prokurorisë se Koldashi e ka rrëmbyer Remzi Hoxhën dhe më pas ia ka dorëzuar Arben Sefgjinit dhe Ilir Kumbaros.
Sipas prokurorisë, tre ish-SHIK-asit akuzohen për "Rrëmbim të personit" të kryer në bashkëpunim në tre raste dhe "Tortura me pasoja të rënda të kryer" po në bashkëpunim ndaj Avdyl Loshaj, Ziso Kristopulit deh Remzi Hoxhës, ky i fundit i zhdukur që nga koha e rrëmbimit në tetor të 1995.