E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Shtëpia e Europës po ngrihet në sheshin “Skënderbej” për 16 majin, nën hijen e profetit të historisë sonë


TIRANË, 6 maj/ATSH-Maela Marini/ Shqipëria do të jetë, më 16 maj 2025, mikpritëse e Samitit të Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje historike që pritet të mbledhë në Tiranë liderët e vendeve evropiane.

Kryeministri Edi Rama në një videomesazh drejtpërdrejt nga sheshi “Skënderbej” tregoi punën që po kryhet për ndërtimin e Shtëpisë së Europës, ku do të mirëpriten të gjithë udhëheqësit e kontinentit.

“Nga qendra e kryeqytetit të Europës së Ballkanit. Nga sheshi ‘Skënderbej’ nën hijen e vetë atij, profetit të historisë sonë kombëtare Gjergj Kastriotit ku do të kalojnë të gjithë udhëheqësit e Europës në datën 16 maj”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se në shesh po bëhet edhe Shtëpia e Europës me vizatimet e fëmijëve të të gjitha qyteteve të Shqipërisë për Europën.

“Këtu do t’i mikpresim të gjithë ata që do të vijnë në kryeqytetin e Europës së Ballkanit. Ky do të jetë një spektakël i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe gjithë bota do t’i ketë sytë atë ditë nga Shqipëria, nga Tirana, nga sheshi i heroit tonë kombëtar”, u shpreh Rama.

“Europa në sytë e fëmijëve” është atelieja gjigante e cila udhëtoi në çdo qytet të Shqipërisë dhe ku fëmijët shqiptarë përcollën përmes artit këndvështrimin e tyre për Europën. Pikturat dhe vizatimet e tyre do të “veshin” Shtëpinë e Europës në Tiranë ku në 16 maj do të mblidhen udhëheqësit e vendeve që marrin pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›