Tiranë, legalizohen 85 banesa të braktisura nga shoqëria ndërtuese

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kadastra Shqiptare njoftoi se i ka dhënë zgjidhje legalizimit të banesave për 85 familje në zemër të Tiranës, që ishin braktisur nga shoqëria e ndërtimit.
Sipas njoftimit të Kadastrës Shqiptare, në rrugën “Ali Visha”, fare pranë qendrës së qytetit, 85 familje banuese në pallatin e braktisur nga shoqëria ndërtuese, kanë marrë më në fund zgjidhjen e shumëpritur.
Pas një procesi të hollësishëm verifikimi të dokumentacionit dhe evidentimi në terren, nga punonjësit e ASHK-së në Drejtorinë Vendore Tiranë Jug, janë emetuar 85 vendime legalizimi për banorët e përfshirë në proces për të përmbyllur kështu procedurën e legalizimit.
“Banorët përfitues të Vendimit të Legalizimit mund t’a regjistrojnë atë pas kalimit të afatit 30 ditor nga data e njoftimit, përmes portalit e-Albania për t’u pajisur me dokumentacionin e plotë të pronësisë”, njoftoi Kadastra.
1 nga 3/r.e//a.f/