Miratohet Paketa e Maleve, Gonxhja: Nxit kthimin e shumë shqiptarëve nga jashtë vendit

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi bashkëpropozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe Ministrisë së Shtetit për Pushtetit Vendor, duke ia përcjellë Kuvendit, për Projektligjin e “Paketës së Maleve”.
Kjo nismë është një ftesë për gjithë diasporën, por edhe për qytetarët shqiptarë, për të investuar në tokat e gjyshërve të tyre duke i kthyer malet e Shqipërisë në destinacionin kryesor të turizmit malor në Ballkan.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, duke prezantuar nismën pas mbledhjes së qeverisë tha se miratimi i kësaj pakete nxit kthimin e shumë shqiptarëve nga jashtë vendit.
“Miratuam sot në qeveri projektligjin që ne e quajmë “Paketa e Malit”, që mua do të më pëlqente ta quaja një nismë për ekonominë e maleve, që është një nismë që sjell një qasje alternative për të ndihmuar që ekonomia malore që ka ngelur pas ekonomisë të zonave urbane dhe zonave bregdetare të mund ta nxisim e ta shohim me përparësi duke shkuar më thellë në zonat rurale që kanë një potencial zhvillimi.
Gjithashtu do të lehtësonim dhe të nxisnim që të kishim edhe diasporën dhe kthimin e shumë shqiptarëve, për t’u kthyer në tokat e të parëve edhe nga jashtë vendit ku ata mund të jenë sot, për të zhvilluar projekte që më pas ne do të bënim të mundur që t’i ndihmonim që të kishin një ecuri më të shpejtë miratimi dhe zbatimi të këtyre investimeve në zona që ne do t’i shpallim zona me përparësi dhe me një nevojë prioritare për një zhvillim ekonomik të mbështetur nga këto instumente që ne propozojmë me këtë projektligj”, tha Gonxhja.
Ndërsa ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha se, “ky projektligj sjell një qasje për të rritur mundësitë dhe lehtësuar procedurat fiskale për të ndihmuar që ekonominë malore, që në vitet e fundit ka mbetur pas, ekonomisë së zonave urbane dhe bregdetare, të mund ta nxisim dhe fuqizojmë duke shkuar më thellë zonave rurale”.
“Malet mbeten burime të mëdha të mjedisit, burim i nënpërdorur. Paketa krijon një sinergji mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor për zhvillimin turistik të gjithë maleve. Kjo paketë krijon mekanizma që bashkitë të propozojnë zona për zhvillim malor dhe përfitojnë me ligj përparësi duke filluar nga lehtësira fiskale, zgjidhin probleme me pronësinë dhe thjeshtojnë lejet për këto zhvillim”, tha Mazniku.
Ai i bëri apel diasporës dhe investitorëve të shohin me përparësi sipërmarrjen në këto zona. “Qytetarët, investitorët, diaspora të orientojnë qëndrimin drejt maleve. Do t’i japë zhvillim maleve”, tha Mazniku.
Qëllimi i Projektligjit të miratuar sot nga qeveria është gjithashtu nxitja dhe tërheqja e investimeve për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë në ato zona malore, të cilat për shkak të burimeve natyrore dhe trashëgimisë kulturore që ofrojnë, konsiderohen si zona të një rëndësie të veçantë me përparësi zhvillimin malor dhe kanë nevojë për mbështetje të posaçme me qëllim rimëkëmbjen ekonomike, nxitjen e punësimit, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe shfrytëzimin me eficience të burimeve të natyrës, mbrojtjes së ekosistemit dhe vlerave territoriale dhe traditave, me theks zgjerimin e hartës turistike dhe shfrytëzimin e potencialit gjithëstinor të këtyre zonave në funksion të turizmit, si një motor kryesor zhvillimi ekonomik.
Projektligji synon të japë zgjidhje ligjore, specifikave që paraqet situata aktuale me pasuritë e paluajtshme shtetërore, në zonat malore, si dhe ka për qëllim thjeshtimin e procedurave të për dokumentat e pronësisë dhe lejet e ndërtimit, dhe mbështetjen me lehtësi fiskale, për rigjallërimin e zonave rurale e malore duke ndërtuar bujtina, agroturizma, ferma malore, etj.
Iniciativa për këtë projektligj merret në kuadër të “Programit të integruar për zhvillimin rural – Programi i 100 Fshatrave”, dhe më konkretisht, në kuadër të nismës “Investo në Tokën Tënde – Paketa e Maleve”, e cila synon të ofrojë një qasje alternative për tërheqjen e investimeve direkte dhe orientimin e tyre, për zhvillimin e atyre zonave rajonale/lokale të qeverisjes vendore, të identifikuara si zona me përparësi zhvillimin, që kanë nevojë për përdorimin e mekanizmave të veçantë, për zhvillimin ekonomik.
Për propozimin e këtij projektligji, janë marrë në konsideratë strategjitë e miratuara nga Komisioni Evropian, siç është Strategjia e Bashkimit Evropian për Rajonin e Alpeve (EUSALP). Kjo strategji adreson sfidat dhe mundësitë kryesore për zhvillim e Alpeve, të cilat fokusohen në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe inovacionit, me vëmendje ndaj ndikimeve mjedisore.
Gjithashtu nisma ligjore “Paketa e Maleve” është në linjë me Axhendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, kapitulli 13 “Menaxhimin e Ekosistemeve të Brishta dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm Malor”, të cilat promovojnë politikat kombëtare, të ofrojnë stimuj për vendasit në këto zona specifike, për diversifikimin e ekonomisë në zonat malore, duke nxitur turizmin, zhvillimin e aktiviteteve alpine, bujqësinë, përdorimin e teknologjive inovative dhe ruajtjen e mjedisit, si dhe menaxhimin e integruar të zonave malore dhe praktika të përshtatshme për ruajtjen e ekosistemit malor.
/a.f/r.e/