Rama: Sistem inovativ i prokurimit elektronik me inteligjencë artificiale

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria është gati të kalojë në fazën e ndërtimit të një sistemi absolutisht inovativ të prokurimit elektronik, një sistem unik me inteligjencë artificiale.
Në një konferencë për mediet në Kryeministri, së bashku me negociatoren për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik”, njëkohësisht drejtore e përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, ku u fol mbi situatën aktuale të Shqipërisë në fushën e prokurimeve publike si rezultat i një reforme modernizuese antikorrupsion, Rama theksoi se, një nga treguesit më të rëndësishëm të reformës së prokurimeve publike është rritja e ndjeshme e numrit të kompanive fituese, jo në vlerë absolute, por në raport me numrin e procedurave.
“Ka shumë më tepër akses në kontratat publike. E gjithë kjo pasqyrë kundërshton shumë fort narrativën e jetës së përditshme mediatike, por siç mund ta keni parë edhe nga pasqyra analitike e publikuar përpara disa ditësh nga ana ime, të cilën do ta publikojmë rregullisht, është një narrativë e imponuar nga një shumicë e qëndrueshme burimesh që janë haptazi kundër qeverisë. Ky është një tregues shumë pozitiv për faktin se jetojmë në një atmosferë totalisht demokratike në këtë aspekt dhe një anomali në raport me vendet e Bashkimit Evropian, por një anomali e bukur sipas këndvështrimit tim, që i hedh poshtë të gjitha pretendimet për medie të kapura dhe lloj-lloj broçkullash të tjera”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se, Shqipëria ndodhet tashmë në një fazë të re të procesit.
“Janë hartuar gjatë gjithë kësaj periudhe 450 faqe specifikime teknike shumë të detajuara, për të cilat kanë punuar ekspertë të zotë vendas. Këto faqe janë vënë më pas nën shqyrtimin e Bankës Botërore, e cila pak ditë më parë dha dritën jeshile, pa kundërshtime, pra certifikimin për çdo projekt ku Banka Botërore merr pjesë me financim”, deklaroi Rama.
Ai bëri të ditur se tashmë qeveria është gati të kalojë në fazën e ndërtimit të një sistemi absolutisht inovativ të prokurimit elektronik, një sistem unik me inteligjencë artificiale.
“Ekspertët tanë nuk kanë punuar në një ishull të izoluar, por kanë ndërvepruar me ekspertë të fushës së prokurimit dhe të inteligjencës artificiale nga një sërë vendesh. Është zhvilluar në Shqipëri edhe një workshop intensiv me 16 vende që kanë elementë të inteligjencës artificiale në proceset e prokurimit, por projekti ynë është i pari i këtij lloji, sepse synon që të gjithë elementët e procesit t’i vendosë në një zinxhir dhe të mundësojë prokurimin me inteligjencë artificiale në një masë shumë të madhe të procesit”, u shpreh Rama.
Sipas tij, sistemi i ri do të eliminojë nevojën që bizneset të mbledhin dokumente fizikisht dhe do të shmangë ndërhyrjet manuale të administratës.
“Asnjë biznes nuk do të detyrohet më të mbledhë letra lart e poshtë për prokurime publike. Asnjë nëpunës nuk do të ketë më në dorë të luajë me letrat e biznesit. Të gjitha të dhënat do të mblidhen nga vetë ‘Diella’ prej mbi 40 regjistrave publikë që tashmë janë të digjitalizuar dhe do të jenë në dispozicion të biznesit për t’u aktivizuar vetëm me një klik”, tha ai.
Rama sqaroi se procesi do të përfshijë gjithçka, nga studimi i tregut te dorëzimi i ofertave, monitorimi i kontratave dhe çdo ndërveprim tjetër, duke qenë plotësisht transparent dhe i gjurmueshëm.
“Diella do ta bëjë të gjithë këtë volum pune me algoritme inteligjente, shpejt, saktë dhe paanshmërisht. Por i gjithë procesi do të jetë plotësisht i gjurmueshëm dhe kushdo që do të ketë pretendime do të mund të rikthehet në pikën e nisjes për të parë manualisht të gjithë procedurën”, deklaroi Kryeministri.
Ai shtoi se sistemi është planifikuar të ndërtohet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare të transparencës dhe se të gjitha publikimet do të mbështeten në formatet elektronike të Bashkimit Evropian.
“Çdo njoftim do të publikohet njëkohësisht edhe në platformën qendrore evropiane ‘Tender Electronic Daily’. Kështu do të jemi në një fazë krejt tjetër jo në 10-vjeçarin tjetër, por brenda këtij mandati për Shqipërinë në Bashkimin Evropian në vitin 2030”, u shpreh Rama.
Në përfundim, Kryeministri e cilësoi “Diellën” jo thjesht si një projekt teknologjik, por si një manifest të vullnetit kombëtar për ndërtimin e shtetit evropian.
“Diella do të shënojë kapërcimin nga një epokë në një epokë tjetër të të bërit biznes. Është një përmbysje totale e sistemit dhe një reflektim në Shqipëri i asaj që teknologjia u jep vendeve, sidomos vendeve në zhvillim, të cilat përmes teknologjisë kanë shanse të papara në historinë e njerëzimit për të bërë kapërcime që pa teknologjinë do të ishin të pamundura”, theksoi Rama.
/gj.m/r.e/