Rama Ska kushte per zgjedhjet lokale

“Falenderoj qytetarët që dolën të protestonin në Tiranë, Vlorë, Lezhë dhe Korcë. Askush nuk do të na ndalë në rrugën tonë”, ka deklaruar Rama.
Duke iu kthyer situatës politike, kreu i PS ka nënvizuar ashtu si dhe ditë më parë se mbajtja e zgjedhjeve vendore të 8 majit është e pamundur.
“Në këto kushte që është vendi nuk mund të ketë zgjedhje të asnjëlloji”, ka pohuar Rama, i cili ka evidentuar edhe problemet në fjalë.
“Institucionet e pavarura ndodhen në një sulm që është i papranueshëm, ndërsa të gjitha hallkat e procesit zgjedhor janë të mangëta dhe për pasojë rezultati deformohet. Ndërkohë që kemi edhe probleme të tjera, si Policia e Shtetit që keqpërdoret dhe mbahet jashtë kornizës së ligjit”, ka nënvizuar Rama.
Por nga ana tjetër ai ka vlerësuar se situatën aktuale në të cilën ndodhet vendi e zgjidhin vetëm zgjedhjet e parakohshme.
“Për ne zgjedhjet e parakohshme janë një zgjidhje racionale dhe e plotë në rrugën e trajtimit të një krize që thellohet përditë dhe e paguajnë qytetarët”, është shprehur Rama, duke shtuar se për të mbajtur këtë proces, vendi nuk ka përse të presë dritën jeshile të ndërkombëtarëve.
“Në këtë situatë s’kemi pse presim që miqtë dhe partnerët tanë të na thonë të mbajmë zgjedhje të parakohshme. Ata kanë 20 vjet që asistojnë Shqipërinë, nuk kanë për detyrë të bëjnë opozitën dhe në një proces që po kalon Shqipëria ata po bëjnë më të mirën për të lehtësuar rrugën ku palët duhet të ecin për të kërkuar zgjidhjen”, ka shtuar Rama.