Rama: S’ka mësues si BE, t’i bën nervat copë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Bashkimi Evropian është një mësues që t’i bën “nervat copë”.
Duke folur në prezantimin e Kolegjit të Evropës që është hapur në Tiranë dhe nsë 2024 nis vitin e ri akademik, theksoi se hapja e këtij kolegji është një tregues i qasjes së vetë Bashkimit Evropian ndaj vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Nuk është aspak e lehtë, nuk ka asnjë mësues që t’i bën nervat copë si Bashkimi Evrpopian. Kolegji është në pararojë. Por nuk ka rrugë tjetër.
Besoj se ky kolegj është më shumë se sa një universitet që vjen nga jashtë dhe bëhet pjesë e sistemit tonë për të ofruar më shumë mundësi të klasit më të lartë për të rinjtë tanë.
Sepse përveç kësaj është edhe një mësim më i thelluar për vetë Bashkimin Evropian për rrugëtimin drejt tij”, u shpreh Rama
Kreu i qeverisë vuri në dukje se plani për këtë kolegj është që të presë një numër të lartë të të rinjve që duhet të studiojnë por ndërkohë do të ketë një përzgjedhje rigoroze çka sipas tij, do të rrisë edhe konkurrencën.
“Shumë më tepër të rinj shqiptar janë të prirur të jenë pjesë e tij. Plani është që numri të rritet në vijim, por numri nuk do të bëhet aq i madh sa është kërkesa për t’u bërë pjesë, çka nënkupton se konkurrenca do të bëhet gjithnjë e më sfiduese”, theksoi kryeministri Rama.
Ai nuk la pa përmendur edhe procesin e Samitit të Berlinit që do të mbahet ditën e nesërme teksa theksoi se “ne do të bëjmë maksimumin që ta bëjmë të paharrueshëm për çdo të ftuar. Jo çdo samit është përvojë e paharruar kur vjen fjala për mikpritjen. Është standard evropian. Por këtu mikpritja është e një tjetër niveli. Përgatituni të ktheheni në BE me ca kile më shumë sepse Shqipëria nuk është vendi ku mund të mbani dietë”
/rtsh.al/