Banorët: Ndihmat po shiten. Të mbahen premtimet

SHKODËR/ Banorë të zonave të ndryshme, të cilat janë përmbytur nga uji shprehen se ndihmat e marra janë shumë pa
"Më kanë sjellë 6 paketa makarona, 1 sapun, 1 bidon vaj, 2 kg sheqer, 2 kg oriz dhe 2 kg fasule. Kaq është ndihma e shtetit për 10 persona"
SHKODËR - Banorët që rikthehen në banesat e tyre që ishin të përmbytura po përballen me dëmin real që u është shkaktuar nga kjo situatë.
Ndonëse uji është larguar në më të shumtën e shtëpive, lagështira e banesave dhe tokës, si dhe mungesa e bazës ushqimore për bagëtitë e shpëtuara ka sjellë vështirësi të shumta.
Pavarësisht deklaratave të shumta për shpërndarjen e ndihmave, shumë prej tyre akuzojnë shtetin, si dhe ata që shpërndajnë se po abuzojnë me ndihmat.
Banorët shprehen se ndihmat e sjella për ta janë qesharake, teksa ato çka duhet t'i marrin ata, po shiten. Gjithashtu banorët kërkojnë ushqimin për kafshët, i cili, sipas tyre është shumë i paktë, dhe një gjë e tillë po bën që edhe ato bagëti të shpëtuara nga përmbytja, të përfundojnë të ngordhura për shkak të urisë.
Në fshatin Belaj të komunës Dajç, dëmet janë të pranishme, pasi banesat që kanë qenë në lagjen e poshtme janë përmbytur. Lush Ndoci, banor në këtë fshat, shprehet se "jam pronar i 200 deleve dhe me to mbaj 8 fëmijë. E kam pasion këtë punë dhe me të jetoj. Jam me raport mjekësor, por punoj.
Shteti më ka gënjyer gjithë jetën. Kam kaluar gjithë jetën pa pasë nevojë për shtetin, ndërsa tani që më solli ujin, më është përmbytur 300 dynym tokë që e kam blerë nga 30 000 lekë të vjetra dynymin. Kam marrë bagëtitë dhe i kam çu pak më lart me shpëtu qingjat, por ata po ngordhin se nuk kanë ushqim. Më kanë sjellë 6 paketa makarona, 1 sapun, 1 bidon vaj, 2 kg sheqer, 2 kg oriz dhe 2 kg fasule.
Kaq është ndihma e shtetit për familjen time me 10 persona, ndërsa më ka përmbytë tokën, banesën e më ka dëmtu bagëtinë. Në rast se gënjej, të më varin në mes të Tiranës, ose të varin Sali Berishën që ka vendosë hajdutët për të ndarë ndihma, pasi ndihmat e ardhura po i shesin".
Ndërsa Jonuz Sinani shprehet se ka 5 muaj që ka hyrë në shtëpinë e re, ndërsa sot e ka me ujë.
"Bagëtinë e imët e kam çu tek komshijtë, por nuk kam ushqim për to se e ka marrë uji. Unë jetoj bashkë me gruan, kemi pensione dhe nuk kam nevojë për ushqime pasi kam pasur ushqime rezervë.
Për të lëvizur e komunikuar duhet me varkë dhe unë nuk kam varkë personale, por duhet t'i kërkoj ndihmë bashkëfshatarëve megjithëse ata i kanë varkat për nevojat e veta. Uji është 120 cm në banesë dhe tani që ka filluar të largohet, lagështira dallohet qartë. Kam 8 krerë bagëti, por kam nevojë për ushqim për to", thotë Jonuzi.
Vlash Gjeloshi, 78 vjeç, tregon se ndihma kanë sjellë vetëm 2 pako, 6 kg miell dhe 7 kg koncentrat për 1 krerë bagëti. "Nga 10 ditë që jemi të përmbytur vetëm kaq kanë sjellë. Kemi 55 shtëpi në fshat, ku rreth 50% e tyre është dëmtuar.
Janë 17 familje të larguara, në 12 shtëpi ka akoma ujë brenda. Kërkoj nga shteti dhe kryeminstri o të mbajë premtimin dhe të na japë lekët për dëmin që na ka sjellë, ose të largohet.
Në disa shtëpi kanë shpërthyer dhe ujërat e zeza nga gropat dhe janë bashku me ujin që ka ardhë dhe shteti duhet të vërë dorë dhe të bëjë dezinfektimet e duhura".
Në lagjen "Kiras", tek pjesa e livadheve të ish- zooteknikës, banorët shprehen se dëmet e shkaktuara janë tepër të mëdha. "Uji ka hyrë 80 cm në banesë, diçka kemi mundur të ngremë më lart, diçka jo, bagëtitë i kemi shpërndarë.
Ka mbaruar frigoriferi, televizori, krevati e dyshekët. U kthyem, por ka shumë lagështirë dhe nuk kemi ushqim për bagëtitë. Na kanë sjellë ndihma bashkia e shoqatat, por uji është akoma brenda në 18 banesa",- shprehen banorë që jetojnë në këtë zonë.
Ndërkohë ata presin zgjidhje lidhur me situatën, teksa ende nuk dinë të thonë se ç'do të bëjnë për lagështirën që u ka pushtuar banesat, pa përllogaritur dëmet e tjera.