E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Sot Shqipëria është tjetër, kemi tre vjet afat për të mbyllur negociatat

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në Sarandë.

Në fjalën e tij, Rama foli për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Rama u shpreh se 27 vendet e BE i hapën më në fund negociatat, por, shtoi kreu i qeverisë, “ajo që ka ndodhur dhe që të gjithë shqiptarët duhet ta kuptojnë në këto ditë të mbetura drejt atij takimi me historinë është që na kanë dhënë një mundësi që nuk ia kanë dhënë askujt deri më sot”.

“Na kanë dhënë një afat për të mbyllur negociatat për tre vjet. E kemi filluar vjet, për t’i mbyllur në 2027-n. Tre vjet nuk i ka zhvilluar dhe mbyllur negociatat asnjë vend tjetër ish-komunist”, tha Rama, teksa shtoi se “ne jemi përgatitur shumë gjatë për këtë”.

Atyre që thonë se pse nuk mjaftuan tre mandate për ta integruar Shqipërinë në BE, Rama iu përgjigj duke sjellë shembullin e Malit të Zi – që i ka hapur negociatat përpara se PS të vinte në qeveri – të ishte sot në BE si dhe të Serbisë që i ka nisur negociatat në 2014-n dhe ende nuk është anëtare e BE-së, apo Maqedonia e Veriut që është bërë kandidate në 2005-n të ishte në BE, megjithëse ka ndryshuar dhe emrin.

Ndërkohë, shtoi Rama, “ne kur nisëm këtë rrugë me trashëgiminë që kishim nga “këneta” dhe me namin e zi që kishte lënë “bufi” nëpër Evropë, në fillim nuk na merrte njeri seriozisht”.

Rama u shpreh se, “sot Shqipëria është tjetër dhe ajo që s’duhet të ndodhë është që dera të mbyllet. Dhe që dera të mos mbyllet ne duhet t’i qëndrojmë strikt afatit që na kanë dhënë ata”.

Sepse, shtoi Rama, “ata afatin nuk e ndërrojnë dot, e kanë dhënë. Nëse interesat e tyre fillojnë lëkunden ata do të jenë shumë më të ashpër me ne, që mundohen të thonë që nuk ia dolët, nuk dolët në afat. Ndërkohë që ne duhet t’u tregojmë atyre që ne do ta bëjmë të gjithë këtë proces në afat”.

Dhe, theksoi Rama, “në atë moment kur të firmoset gjithë dakordësia për marrëveshjen me BE-në do jenë të detyruar që ta ҫojnë në parlamentet e tyre dhe ëndrra e madhe do të bëhet realitet, falë votës së shumicës së shqiptarëve”.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›