E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Partitë e vogla cikli i dytë i farës së keqe të të ndjerës LSI, e shesin veten për përfaqësues të interesave të mëdha

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Kryeministri  njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë takimit përmbyllës elektoral në Sarandë nënvizoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, ndërsa kërkoi nga qytetarët që të votojnë Partinë Socialiste për të përmbushur “këtë mision historik”.

“Pse është kaq e rëndësishme, pse është përtej partive, pse nuk është çështja e një fitore aritmetike e PS, pse këtu nuk bëhet fjalë për 71 deputetë apo se pse nuk bëhet fjalë fare se ne kemi ndonjë merak se do të vijë “këneta” ta bëjë këtë det kënetë nuk ndodh ajo. Është shumë e rëndësishme, sepse ne na duhet fuqi, që me ata të jemi të përpiktë, por ndërkohë kur bie dakord me ata janë 1000 veta nga shteti shqiptar, 1000 veta nga ana e tyre”, tha Rama.

Rama ironizoi edhe partitë opozitare. Duke iu referuar partive të reja në opozitë, Rama tha se partitë e vogla janë për interesa të vogla.

“Ne merremi vesh me ata, do të bëjmë këtë, këtë, ata ne na kanë vënë afatin, në bëjmë negociata me ta, biem dakord me ta, vijnë këtu dhe parafytyroni të na dalë “bufi” atje dhe të thotë: do të merreni vesh me mua. Ose këta të tjerët, se janë dhe ca të tjerët që vijnë vërdallë, ca zogj të vegjël që vijnë vërdallë dhe thonë: “Ne jemi të rinj, ne jemi rinia”. Ata rini kanë vetëm në moshën e kryetarëve të tyre. Ato parti të vogla janë cikli i dytë i farës së keqe të të ndjerës LSI, dhe juve ju kujtohet mirë, dhe shqiptarët e dinë mirë se çfarë kemi hequr duke i provuar të tëra, dhe konkluzioni im është: sa më e vogël një parti, aq më të vogla interesat e atyre që e shesin veten për përfaqësues të interesave të mëdha. Partitë e vogla janë për interesa të vogla”, tha Rama.

Sa i takon PS-së, Rama tha se është për t’u krenuar, pasi në asnjë moment nuk ka tradhtuar interesin kombëtar.

“Një parti e madhe si PS është për interesin kombëtar dhe kaq e vërtetë është kjo, sa po të kthehesh mbrapa, PS mund të këtë bërë shumë gabime në 35 vjet, mund të ketë pasur moment jo për t’u krenuar, por asnjë moment që ta ketë tradhtuar interesin kombëtar, asnjë, zero”, tha Rama.

Rama shtoi më tej: “Prandaj na duhet fuqia, na duhet një mesazh shumë i fortë përtej partive, përtej shumicës së zakonshme na duhet një mesazh që ne populli shqiptar e duam Shqipërinë në BE dhe mos harroni se në 16 maj kur të ketë përfunduar numërimi i votave në Tiranë aty poshtë nën këmbët e Skënderbeut, do të vijnë të tërë udhëheqësit e kontinentit europian, e paimagjinueshme deri para pak vitesh, dhe akoma më e paimagjinueshme kur ne morëm detyrën dhe kur prej vitesh në Shqipëri nuk shkelte më asnjë udhëheqës, asnjë shtet nuk llogariste më njeri Shqipërinë, për asgjë. Prandaj, motra dhe vëllezër kjo është shumë më tepër sesa një zgjedhje, kjo është një përmbushje e një misioni historik”.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›