Rama: Sot pagat dinjitoze nuk diskutohen, problem punëtorët e kualifikuar

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se, “në janar të 2026, do të rritet paga minimale në 500 euro, duke vendosur që ta shpallim këtë gjë menjëherë në muajin qershor 2025”.
I pranishëm në ambientet e Tirana Industrial Park, gjatë takimit me biznese dhe punonjës për të diskutuar mbi strategjinë dhe politikat e punësimit dhe aftësimit të forcës së punës, Rama theksoi se, “ambicia jonë është të risim edhe pagën mesatare nga 830 euro, brenda mandatit të katër ta çojmë në nivelin 1000 euro në sektorin privat”.
Sot, tha ai, kemi nevojë të shohim edhe me shumë më tepër optimizëm rritjen e pagave në sektorin publik.
“Janë rritur, do të rriten dhe më shumë dhe kjo na ka dhënë një fakt në dorë, që duke rritur pagat në sektorin publik kemi tërhequr me vete dhe sektorin privat në këtë proces, por ajo që është më e rëndësishmja, është kapërcimi nga një epokë kur krahu i lirë i punës quhej avantazh konkurrues në një epokë tjetër, ku tanimë pagat dinjitoze nuk diskutohen më. Dhe faktikisht kompanitë sot më shumë sesa problemin sa të paguajnë punëtorët, kanë problemin ku t’i gjejnë punëtorët e kualifikuar”, u shpreh Rama.
Kryeministri evidentoi se, një tjetër shenjë pozitive që është duke u bërë gjithmonë e më e prekshme, është numri i djemve dhe vajzave të kthyer rishtas nga Gjermania.
“Besoj se do ketë gjithmonë e më shumë të tillë në vitet në vijim”, tha ai.
Rama u ndal dhe në rëndësinë që ka arsimi profesional.
“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se rritja e kapacitetit të arsimit profesional është një domosdoshmëri për kompanitë, është një domosdoshmëri për ekonominë, është një domosdoshmëri për vajzat dhe djemtë e këtij vendi, që me një formim të mirë profesional mund të sigurojnë jo vetëm një punë gjithmonë e më të mirë paguar, por mund t’i japin vetes një perspektivë për të ndërtuar një biznes të vogël që pastaj mund të bëhet dhe një biznes i madh”, u shpreh Kryeministri.
Ai tha se, faktet tregojnë se në gjithë vendet që kanë një arsim të zhvilluar profesional thonë se pjesa më e madhe e sipërmarrësve në ato vende vjen nga formimi në arsimin profesional.
/a.f/r.e/