TURQI – Erdogan akuzon partinë kryesore opozitare për ”fashizëm”

ANKARA, 9 prill /ATSH-DPA/ – Presidenti turk Recep Tajip Erdogan sulmoi partinë kryesore opozitare të vendit, duke e quajtur atë “mishërim i fashizmit”, pas pasojave politike nga burgimi dhe dorëheqja e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu.
Burgimi i Imamoglu ka ndezur protesta në të gjithë vendin, me Partinë e tij Republikane Popullore (CHP) që u zotua të zgjerojë demonstratat dhe të bojkotojë bizneset dhe mediat që i sheh si të lidhura me Erdoganin.
“Ky nuk është gjë tjetër veçse fashizëm i pastër”, tha Erdogan për thirrjet e bojkotit të CHP në një fjalim në grupin parlamentar të partisë së tij në Ankara.
CHP bën thirrje për mitingje javore në Stamboll dhe pjesë të tjera të Turqisë, duke kërkuar lirimin e kandidatit presidencial İmamoğlu dhe zgjedhje të parakohshme.
Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Turqi janë planifikuar për vitin 2028.
Një miting është planifikuar për të mërkurën në mbrëmje në Stamboll.
Grupet studentore kanë bërë thirrje veçmas për protesta.
Erdogan të mërkurën akuzoi CHP-në për manipulim të protestave të të rinjve për përfitime politike.
“Ata dërguan të rinjtë të përlesheshin me policinë dhe tani po qajnë me lot krokodili,” tha ai.
Demonstratat e udhëhequra nga studentët shpesh janë përballur me forcë, duke përfshirë ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Protestuesit e përshkruajnë burgosjen e Imamoglusë dhe disa bashkëpunëtorëve si një lëvizje të motivuar politikisht për të mbyllur gojën rivalin kryesor të Erdoganit./ /os/