E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama në dy kompani prodhuese, operojnë me teknologjinë e fundit

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, si dhe nga zëvendësministrja Olta Manjani, ishin sot në Tirana Industrial Park, ku edhe vizituan dy prej kompanive prodhuese që operojnë me teknologjinë e fundit.

Fillimisht Rama zhvilloi një vizitë në kompaninë “Lekli”, një kompani farmaceutike e fokusuar në prodhimin e produkteve mjekësore për përdorim njerëzor.

Luan Lekli, administrator dhe themelues i kompanisë, bëri një prezantim të investimeve të kryera në kompani, kryesisht në fushën e teknologjisë.

“Është investim gjerman, teknologjia gjermane. Ajo që i dallon nga të tjerat është e vetmja në Ballkan që është projektuar në mënyrë të tillë që të realizojë sipas një teknologjie bashkëkohore dhe për një pacient të vetëm në rrugë industriale, pra barna të personalizuara”, tha Lekli.

“Ndërkohë i gjithë prodhimi dhe laboratorët kanë pjesën zhvillimore. Mendohet se në të ardhmen të kemi injeksionet dhe medikamentet biologjike, që është një sfidë që mendojmë ta realizojmë në të ardhmen”, u shpreh më tej Lekli.

Lekli tha se kanë edhe “marrëveshje me Universitetin e Mjekësisë ku shkëmbejmë edhe në fushën e studentëve dhe kapaciteteve shkencore që ka Universiteti”.

Vizita tjetër e kreut të qeverisë ishte në kompaninë “Segment”, një kompani e cila ofron një gamë të gjerë të makinave dhe pajisjeve të nevojshme për industri të ndryshme.

“Kompania ka mbi 20 vite, e kemi nisur si biznes familjar jemi kthyer nga jashtë vendit. Personeli janë të gjithë të rinj, janë filluar me ne që nga bankat e shkollave. Kemi 40 punonjës, pika është në Shqipëri dhe në Prishtinë. Pagën minimale e kemi 700 euro, hyjmë tek nivelet më të larta, janë ndihmësmekanikë”, tha administratorja e kompanisë.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›