E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Paqe fiskale të negociuar me kompanitë, 15% tatim për fitimin pa mundësi rritje

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Në mjediset e Tirana Industrial Park, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja zhvilloi sot një bashkëbisedim me biznese dhe punonjës mbi strategjinë e politikat e punësimit dhe aftësimit të forcës së punës, në një treg gjithmonë e më dinamik, të ndikuar ndjeshëm nga zhvillimi i shpejtë i teknologjisë.

Në fjalën e tij Rama foli edhe për lehtësimin e barrës fiskale për bizneset duke iu referuar paqes fiskale. Sipas Ramës, kompanitë do të kenë mundësinë të hyjnë në një marrëveshje me autoritetet fiskale për të paguar një tatim të përcaktuar prej 15% mbi fitimin, pa mundësi rritje në vitet e ardhshme. Sipas Ramës për çdo fitim shtesë që biznesi do të deklarojë mbi atë normë, do të tatohet vetëm 5%.

“Duke qenë se këtu flasim për punën dhe kompanitë, ne mbas këtij procesi që duhet ta zhvillojmë gjatë këtij muaji që fillon zyrtarisht të premten, ne do të ndërtojmë një proces me kompanitë, për një marrëveshje paqeje fiskale, në mënyrë që t’i japim të gjitha kompanive mundësinë që të zgjedhin midis një marrëveshje paraprake me autoritetet fiskale për të paguar një tatim, një shumë në tatimin mbi të ardhurat mbi fitimin që nuk do të lëvizë, është ai 15% i ditur, një shumë të përcaktuar bashkërisht, duke u nisur nga rritja ekonomike dhe pastaj të mund të paguajmë përtej kësaj shume, duke deklaruar të ardhura të tjera të padeklaruar me parë, me një tatim vetëm 5%. Që do të thotë që do t’u japim mundësi kompanive të mund dalin në dritë plotësisht dhe të mos kenë një barrë që i detyron pastaj dhe të akumulojnë borxhe që nuk paguhen kurrë, ndërkohë që kjo do të shoqërohet me mungesën e plotë të inspektimeve, kompanitë që do të hyjnë në këtë marrëveshje nuk do të kenë më asnjë shqetësim të natyrës burokratik”, tha Rama.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›