E Diel, 1 Nëntor 2026

“Tirana”, Basha i kërkon gjykatës vërtetimin e mandatit

TIRANË- Marrja e detyrës së re, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, për Lulëzim Bashën, është vetëm çështje ditësh. Fillimisht, Kryebashkiaku Basha i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një vërtetim për shpalljen e tij si fitues i zgjedhjeve në Tiranë.

Nga KQZ-ja, atij i është vënë në dispozicion vendimi 1158 i datës 25 qershor, që shpall Lulëzim Bashën kryetar të bashkisë së kryeqytetit, me 93 vota kundrejt rivalit socialist, Edi Rama. Kjo procedurë, që ka zgjatur fare pak, i ka lënë radhën një tjetër hapi të mirëpërcaktuar në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Dje, Lulëzim Basha i është drejtuar Gjykatës së Faktit Tiranë, për të kërkuar vërtetimin e mandatit të tij në krye të Bashkisë Tiranë, shpallur me vendimin 1158 të Komisionit Qendror i Zgjedhjeve. Në bazë të nenit 40, të ligjit për qeverisjen vendore, mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata në juridiksionin e së cilës përfshihet komuna ose bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij. Në rast se gjykata vendos shpejt, atëherë shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, do të bëhet në mbledhjen më të parë të këshillit bashkiak, që me shumë gjasë mund të ndodhë në fillim të javës që vjen. Kolegji Zgjedhor pritet që të vendosë nesër shpërndarjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, me kërkesë të Partisë Demokratike. Në bazë të ligjit për qeverisjen vendore, mbledhja e parë e këshillit thirret nga sekretari i këshillit bashkiak. Në mungesë të tij, nismën për thirrjen e mbledhjes së parë mund ta marrë vetë prefekti. Për demokratët, duket se do të jetë e tejkaluar edhe faza tjetër, ajo e kuorumit të këshilltarëve, në rast se socialistët nuk do të marrin pjesë. Në bazë të ligjit, mbledhja e parë e këshillit është e vlefshme kur në të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Në këtë mbledhje të parë, përmes betimit para këshillit bashkiak, Basha do të legjitimojë fillimin zyrtar të ushtrimit të mandatit të tij. Betimi si kryetar i bashkisë do të sjellë automatikisht edhe përfundimin e mandatit të Edi Ramës. Në bazë të ligjit, mandati i kryetarit përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës. Ligji përcakton edhe një procedurë shtesë, në rast se këshilli bashkiak nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në mungesë të Këshillit është prefekti, ai që organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë në mjedisin e baskisë, në prani të banorëve të Tiranës.

N.Perndoj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›