Rama: Taksë dhe TVSH zero për biznesin e vogël deri në 2029-n,

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Në rubrikën “Sy m’Sy”, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot drejtpërdrejtë ndjekësve të tij në rrjetet sociale.
Njëri prej tyre i thotë kryeministrit se është bërë si Nastradini. “Alban, po ça ke me mua? Unë ta kam fajin që humb e humb ajo parti që ke zgjedhur ti? Po ndrysho parti dhe bie rehat”, i sugjeroi kryeministri.
Një tjetër komentues i shpreh kryeministrit idenë se në “Shqipëri nuk siguron dot as bukën e gojës! Nuk ka asnjë lloj mundësie”!
Në përgjigjen e tij, kreu i qeverisë i thotë komentuesit se e vërteta është ndryshe.
“Nëse është fundi, e ka në dorë vetëm Zoti! Nëse e ke fjalën për fundin e mandatit, po, i ka ardhur fundi mandatit; nëse e ke fjalën për fundin e qëndrimit tonë në udhëheqje, këtë do ta shohim në 11 maj dhe do ta thotë populli këtë. E kemi mundësinë ta provojmë, nëse ti ke të drejtë do të shkojmë në shtëpi. Kjo është demokracia. Kam frikë se nuk ke të drejtë”, shprehet kreu i qeverisë.
Një tjetër komentues, i kërkoi kryeministrit që t’u bëjë një tortë shqiptarëve siç bëri Lulzim Basha në Tiranë.
“Me të thënë të drejtën një “omëlsinë” e kemi pas dhe s’e di si do bëjmë që ta kemi prapë. “Omëlsina” jonë ka qenë Lul Basha edhe tortën jo rastësisht e bëri Lul Basha se e keni parasysh ju, nga të gjitha ato që ka thënë, vetëm një tortë ka bërë. O Lul, ku je? Sa herë më kujtojnë ty, kam një nostalgji, një përvëlim, nuk e di”, i përgjigjet Rama.
Në komunikimin e radhës, drejtpërdrejt në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, kryeministri u pyet nga një tjetër ndjekës i tij për taksimin për biznesin e vogël.
Rama u shpreh se deri në vitin 2029, ky taksim do të vazhdojë të jetë zero.
“E kam thënë dhe e kemi thënë, është në dokumente tani në buxhetin e shtetit. Deri në 2029-n, si askund tjetër në rajon, se në Evropë s’bëhet fjalë fare, biznesi i vogël ka zero taksë, zero TVSH për xhiron deri në 100 mijë euro dhe zero taksë me TVSH për xhiron deri në 140 mijë euro. Kjo është pak, por e sigurt për biznesin e vogël. E kemi aleatin më të madh në këtë proces dhe të gjithë atyre që thonë s’ka bukë, i them: Shkoni pyesni pak çdo biznes të vogël se si e hap derën e dyqanit, i uritur apo normalisht i ngrënë?”, theksoi kryeministri Rama.
/r.e/ /a.g/