Vranë 21-vjeçarin, katër në pranga

EKZEKUTIMI/ Policia arrestoi mëngjesin e së premtes katër anëtarë të së njëjtës familje për vrasjen e Vukatanës
Arben e M.Kola, Bledar dhe Kamber Kola janë ndaluar dhe akuzuar për vrasje me paramendim në bashkëpunim
SHKODËR - Zbulohen dhe ndalohen autorët e dyshuar të vrasjes së ndodhur të enjten në qytetin e Shkodrës, ku u vra 21-vjeçari Elson Vukatana. Policia e Shkodrës në bashkëpunim me atë të Lezhës, FNSH-në e Shkodrës dhe prokurorinë e këtij rrethi kanë ndaluar katër vetë, anëtarë të një familjeje, të cilët akuzohen për "vrasje me paramendim në bashkëpunim", "veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës" dhe "armëmbajtje pa leje".
Arben Kola, 24 vjeç., M .Kola, 16 vjeç, vëllezër nga babai, Bledar Kola 26 vjeç dhe Kamber Kola 47 vjeç, kushëriri dhe xhaxhai i tyre, të gjithë banues në lagjen "Daniel Matlia" janë ndaluar nga policia pasi dyshohen të jenë autorë të vrasjes së 21-vjeçarit Vukatana.
Operacioni i koduar me emrin "Perash" është zhvilluar në orët e para të ditës së premte. Mësohet se njëri prej të ndaluarve, 24-vjeçari Arben Kola ka qenë ndër personat e shoqëruar në polici menjëherë pas ngjarjes, ndërsa të tjerët janë ndaluar më pas.
Sipas policisë, personi që ka qëlluar mbi 21-vjeçarin Elson Vukatana, është 16-vjeçari M.Kola, i cili është ndaluar rreth orës 02:00 të së premtes në Sanxhak, Laç, ku ishte strehuar tek daja i tij.
Mësohet se ai e ka pranuar krimin dhe ka dhënë edhe shpjegimet përkatëse. Shkak i ngjarjes është një konflikt mes viktimës dhe djemve të familjes Kola, e cila e ka banesën rreth 30 metra larg pallatit ku jetonte viktima, në anën tjetër të rrugës. Konflikti ka nisur për parkim automjetesh dhe ka vazhduar me sharje, rrahje e kanosje. Sipas asaj që ka rrëfyer 16-vjeçari në polici, një javë më parë viktima ka dashur t'i vrasë dhe për këtë ai ka vendosur ta vrasë më parë se ai t'i qëllonte.
Në banesat e të ndaluarve policia ka gjetur dhe sekuestruar si prova materiale dhe tre armë automatike, dy kallashnikovë model 56, një automatik MP mod 54 që sipas policisë është dhe arma e krimit, 300 copë fishekë, 1 palë pranga, 1 armë e ftohtë.
Mësohet se konflikti ka nisur mes 24-vjeçarit Kola i cili para disa muajsh ka ardhur nga SHBA ku ka qëndruar rreth 10 vite, ndërsa në të janë përfshirë dhe vëllai nga babai, 16-vjeçari M.Kola. Policia ka ndaluar dhe Kamber e Bledar Kolën, xhaxhai dhe kushëriri i dy vëllezërve si të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje.
Familja Kola është me origjinë nga Kukësi dhe ka shumë vite që është vendosur në Shkodër në lagjen "Daniel Matlia ". Viktima Elson Vukatana është përcjellë të premten për në banesën e fundit. Ai u ekzekutua me gjashtë plumba mesditën e së enjtes, teksa hynte në shtëpi.