Rama: Të bashkuar në ndihmë të banorëve
“Nuk është ora e luftës politike për nxjerrjen e përgjegjësive për këtë dramë të jashtëzakonshme, e cila s’ka të bëjë as me ngrohjen globale as me zemërimin e Zotit, po fatkeqësisht thjesht dhe drejtpërdrejt me keqqeverisjen”, u shpreh Rama mbrëmë gjatë një konference shtypi. Ai shtoi se është ora e marrjes së përgjegjësisë qytetare e patriotike, nga çdo parti, nga çdo përfaqësues i popullit, në nivelin vendor apo qendror, nga veriu në jug, në të gjithë Shqipërinë. Edhe Partia Socialiste, paralajmëroi Rama-ka hapur dje dy llogari bankare, në dy banka të ndryshme, për të mbledhur ndihma financiare për familjet e përmbytura. Shefi i opozitës u ka bërë thirrje banorëve të zonave të përmbtytura që të largohen sa më parë nga banesat e tyre, për të mos rrezikuar jetën. “Është ora për të mos ndenjur në mes të rrezikut nga frika e moskompensimit, po për të dalë nga zona e rrezikut, sepse humbja e jetës është e vetmja humbje e pariparueshme. Është ora që qeveria t’i lerë justifikimet e kota përpara realitetit sa të dhimbshëm aq edhe të qartë të asaj që po ndodh dhe të garantojë transparencë të plotë, për gjithçka. Për çdo të dhënë në terren, për çdo lëvizje të planifikuar në kërkim të daljes nga situata, për çdo vendim të studiuar nga specialistët”, tha më tej ai.