Rama: Të dielën për blunë e Evropës dhe kuqezinë e Shqipërisë, jo për llogoret partiake

TIRANË, 9 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, nga takimi përmbyllës i fushatës elektorale sot në Tiranë, tha se të dielën shqiptarët duhet t’i drejtohen kutive të votimit për blunë e Evropës dhe kuqezinë e Shqipërisë dhe jo për llogoret partiake të njërit apo të tjetrit.
Rama u ndal te transformimi i kryeqytetit shqiptar, për të cilin u shpreh se në të kaluarën ka qenë thjesht një kënetë.
“Kam parë këto ditë “zogjtë dhe minjtë e kënetës” të shfaqen nëpër ca rrugica të pashtruara, pranë ca kazanëve, për të lajmëruar ditën e qametit për mua dhe për ju, dhe ardhjen e shërbetit për ta dhe Bufin e tyre. Mjerë ky vend për ta! E kam me gjithë ata tironsa dhe tiranas, me rrënjë të vjetra dhe degë të reja, në këtë Amerikën tonë të vogël ku ka një mijë e një gjëra për të rregulluar, ama ka një gjë të madhe për të mos e harruar: këtë qytet e bëjnë më të mirë vetëm ata që i dhanë identitetin, famën, dinjitetin, domethënë ne, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe askush tjetër”, tha Rama.
Kryeministri tha se “Tiranën mund ta bëjnë më të kamur, më të bukur, më solidare me të dobëtit, më të sigurt për të vegjëlit dhe më krenarë për të gjithë vetëm ata që ia pastruan baltën nga fytyra, që ia larguan çibanët nga trupi, që e veshën e zbukuruan ia shumëfishuan vlerën pa pushim pronës së qytetarëve të tij dhe e shumëfishuan pa ndalim fuqinë e organizimit të tij”.
“Këtë qytet mund ta bëjnë më të mirë vetëm ata që e duan, por edhe ata që e dinë se ç’është e bukura dhe fuqia e të bukurës. Jo thjesht ndërtojnë shkolla, kopshte, parqe, lulishte më shumë se tërë të tjerët në dekada, por që në çdo gjë që ndërtojnë sjellin Evropë në Tiranë dhe në Shqipëri”, pohoi ai.
/r.e/a.f/