E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Pa Partinë Socialiste në krye, Shqipëria rrezikon të kthehet pas

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetar i Partisë Socialiste, theksoi sot rolin vendimtar të PS-së në transformimin e Shqipërisë gjatë këtyre 12 viteve.

Në fjalën e tij, në takimin e mbylljes së fushatës për zgjedhjet e 11 majit, në Tiranë, ai u shpreh se, sipas disa kritikëve, fati i tij ka qenë mungesa e kundërshtarëve të denjë. Por sipas Ramës, ndryshimi epokal nuk është sjellë nga koha, por nga njerëzit që e kanë udhëhequr atë.

“Disa thonë se ndryshimin epokal që kemi sjellë në Shqipëri, e cila sot mund të krahasohet me 12 vite më parë, po aq sa mund të krahasohet dita me natën, e ka sjellë koha. Por ajo që ata nuk duan ta kuptojnë është se koha sjell njerëzit dhe njerëzit bëjnë ndryshimin për mirë ose për keq. Nuk e ka sjellë koha ndryshimin që ne kemi sjellë dhe do të sjellim deri në fund, duke ulur Shqipërinë si zonjë në sallonin e zotërve të shtëpisë së Europës së Bashkuar. Koha na ka sjellë ne dhe ne i kemi dhënë kohës ngjyrat e famurit tonë kombëtar”, tha Rama.

Koha, vijoi ai, na ka sjellë ne, dhe ne i kemi dhënë kohës zërin e nevojës shqiptare për dinjitet të pacenueshëm dhe indentitet të pamohueshëm europian.

“Koha na ka sjellë ne dhe ne i kemi dhënë kohës krahët e etjes për drejtësi dhe shtetbërje europiane. Koha na ka sjellë ne dhe ne i kemi dhënë kohës duart e kujdesit për barazi gjinore dhe mbrojtje shoqërore. Koha na ka sjellë ne dhe ne i kemi dhënë kohës këmbët për t’u ngjitur nga një lartësi, në një tjetër dhe krenarinë e të qenurit shqiptar dhe bij shqiptarësh, duke qëndruar drejt në skenën ndërkombëtare, si të barabartë mes të barabartësh, që japin besim dhe respekt dhe pretendojnë në kombim besim dhe respekt”, shtoi Rama.

Kreu i qeverisë paralajmëroi se çdo përpjekje për të përjashtuar Partinë Socialiste nga drejtimi i vendit do të ishte e barasvlershme me kthimin mbrapa të Shqipërisë.

“Ta mendosh sot Shqipërinë pa ne, Partinë Socialiste të Shqipërisë në krye të punëve të saj të mëdha dhe të përpjekjes sonë për t’u ngjitur në majë, në 2030-n, është njësoj si të mendosh Shqipërinë me flamurin ngjyrë kënete. Është njëlloj si të dëgjosh zërin e vendit me shkëputjet e fillit të një plaku të raskapitur mendërisht, të dëshpëruar moralisht dhe të pashpresë politikisht. Njëlloj si të shikosh krahët e drejtësisë të brejtura nga minjtë e kënetës, njëlloj si t’ia presësh këtij shteti këmbët dhe ta rrokullisësh përsëri poshtë”, deklaroi ai.

Rama theksoi se Partia Socialiste do të vazhdojë të udhëheqë vendin me vizion europian dhe me synimin për ta bërë Shqipërinë një shtet të denjë në familjen e Bashkimit Europian deri në vitin 2030.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›