E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Të hapen kutitë. Nuk ka kthim pas

24/02/2010 Kreu socialist deklaron qëndrimin e PS pas negociatave

Partia Socialiste qëndron stoike në vendimin e saj për të mos hequr dorë nga kërkesa për hapjen e kutive. Për më tepër që kërkesën e saj, kampi opozitar e sheh të mbështetur dhe nga vetë faktori ndërkombëtar. Të paktën ky ishte mesazhi që lëshoi dje kreu i PS-së, Edi Rama, lidhur me qëndrimin e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili përgjatë dy ditëve të shkuara zhvilloi takime intensive me drejtuesit politikë në vendin tonë, me qëllim për të dhënë ndihmë në rrugën e zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri.

“Dua ta theksoj fare shkoqur se as në bashkëbisedimet e sinqerta dhe as në deklaratën e tyre zyrtare, as në përgjigjen e mysafirit turk, nuk dëgjova të mohohej e drejta jonë për hapjen e kutive. Askush nuk tha se kutitë nuk mund dhe nuk duhet të hapen”, vlerësoi Rama, gjatë një komunikimi me mediat. Madje, po në këtë linjë, Rama u shpreh qartë se “pa hapje të kutive nuk ka zgjidhje të krizës dhe as rifillim të jetës parlamentare normale. Sepse kjo krizë nuk i ka rrënjët te bojkoti i opozitës, por te mohimi i të drejtës sonë kushtetuese për të hetuar zgjedhjet, të cilat është e qartë si drita e diellit se nuk mund të hetohen pa nxjerrë të vërtetën e kutive në sytë e popullit, jo për të ndryshuar rezultatin, por për të shembur sistemin e korrupsionit që pengon lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve në Shqipëri”. Njëkohësisht, në emër të partisë që ai drejton, Rama i ridrejtoi dhe një herë tjetër kreut të mazhorancës ofertën e kësaj partie për zgjidhjen e krizës politike, e cila sipas tij, është shprehje e plotë, shprehje e popullit sovran, që përmes Kushtetutës, i jep të drejtën opozitës që të hetojë e pakushtëzuar nga vullneti i shumicës.

Kthimi i PS në Kuvend

Kreu socialist, Edi Rama la të hapur mundësinë e kthimit të PS-së në Kuvend. “Opozita nuk e ndërpret bojkotin, në rast se pengohet në mënyrë antikushtetuese për të ushtruar një të drejtë kushtetuese. Ndërkohë që pa asnjë dyshim, dhe po e them ndoshta në mënyrë të përsëritur për një konferencë shtypi, se ne do ti eksplorojmë të gjitha rrugët dhe nuk përjashtojmë asnjë rrugë.

Protesta jonë është në ecje e sipër, nuk është ndërprerë për asnjë moment. Sigurisht që përshkallëzimi i saj është çështje e një plani të mirëmenduar, që ecën sipas parashikimit tonë”, u shpreh ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›