E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Të hapet dialogu

20/05/2010 Kreu i PS-së kërkoi nga mazhoranca qeverisëse të dëgjojë apelin e kampit opozitar

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama apeloi sërish dje për dialog. Nisur nga gjendja mjaft e rënduar e grevistëve të ngujuar prej datës 30 prill në çadrat e ngritura në sheshin përpara godinës së Kryeministrisë, kreu socialist kërkoi zgjidhje, në mënyrë që të mos cenohet jeta e deputetëve dhe mbështetësve të Partisë Socialiste, të cilët janë të vendosur për të mos hequr dorë nga sakrifica e tyre sublime në mbrojtje të kauzës për transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. “Unë bej apel për hapjen e rrugës së dialogut nga kjo qeveri, e përsëris këtë apel edhe në ditën e 19-të të protestës sonë me anë të grevës së urisë”, - vuri në dukje kreu i PS-së Rama pas vizitës se radhës në QSUT pranë grevistëve, duke i bërë sërish apel mazhorancës për hapjen e rrugës së dialogut. Por drejtuesit e kësaj partie nuk harrojnë të lëshojnë një sërë akuzash dhe kritikash për mazhorancën qeverisëse. Madje, sipas vetë kreut socialist, tashmë vjedhja e votave është e qartë edhe pa hapur kutitë. Kjo për vetë faktin se nga ana e saj shumica në Parlament nuk pranoi asnjë lloj propozimi të bërë nga socialistët, të cilët së fundi hoqën dorë nga hapja e kutive të fletëve të votimit, duke u ndalur vetëm te kutitë e materialeve zgjedhore. Ndërkohë dhe pas tërheqjes së lidershipit socialist, sërish kampi blu vijoi të mos i hapte rrugë dialogut. Sipas Ramës, reagimi kokëfortë i qeverisë gjatë këtyre muajve të kërkesës për transparencën e zgjedhjeve ka vërtetuar më së miri gënjeshtrën e 28 qershorit. “Gënjeshtra e 28 qershorit është e vërtetuar edhe pa hapur kutitë. Unë i bëj thirrje kësaj qeverise që të hapë rrugën e dialogut”, - nënvizoi Rama gjatë fjalës së tij, duke shprehur në të njëjtën kohë qëndrimin e kampit opozitar, sipas të cilit tashmë e majta është gati për dialog. Ndërkohë mbledhja e fundit e grupit parlamentar të PS-së vendosi për mosndërprerjen e grevën e saj të urisë. Njëkohësisht kjo parti do të vijojë të organizojë për çdo ditë protestat në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Nga ana tjetër, pritet që grupi kuvendor socialist të vendosë përfundimisht për detajet teknike lidhur me zëvendësimet e grevistëve në çadrat ku qëndrojnë të ngujuar prej 20 ditësh deputetë dhe mbështetës të Partisë Socialiste. Kështu, gjatë këtyre ditëve, kur pritet një zgjidhje e mundshme e ngërçit politik, deputetët socialistë do të vijojnë takimet me mbështetësit e tyre si për të informuar lidhur me lëvizjet që do të ndiqen në ditët në vijim, ashtu dhe për të hartuar listat e atyre që do të jenë banorët e rinj të çadrave që qëndrojnë prej ditësh në sheshin përpara Kryeministrisë.

Fatmir Toçi

“Prej disa ditësh Televizioni Publik Shqiptar dhe disa televizione të tjera transmetojnë një antireklamë për protestën e opozitës. Ajo synon prishjen e imazhit të opozitës dhe të protestës së saj, denigrimin e institucionit të grevës së urisë. Të gjithë mund të dallojnë lehtësisht se spoti tregon një marrëdhënie private njerëzore të disa individëve. Çdo lidhje e montazh me protestën e PS-së është një sajesë e shëmtuar, një praktikë tipike e propagandës fashiste e komuniste.”

Fatmir Xhafaj

“Rrugë të mesme nuk ka. Pas gati tri javësh grevë urie çdo jetë e të ngujuarve është e rrezikuar, por po aq e fortë është dhe vendosmëria për të rezistuar deri në fund. Që nga ky moment jemi në fushë të minuar, jetët tona rrezikohen seriozisht. PS-ja do ta presë deri në fundjavë mazhorancën qeverisëse për të reflektuar mbi kërkesat e saj. Më pas opozita do të radikalizojë qëndrimin e saj, duke mos përjashtuar dhe mosbindjen civile. Pra, afati është deri në fund të javës.”

Paralajmërimi i deputetit të PS-së Namik Dokle

“Gjithë grupi parlamentar dhe mbi 2000 mbështetës janë të gatshëm të hyjnë në grevë. Se kur do të hyjmë në grevë, nuk vendoset nga media, por nga grevistët, të cilët kanë moral të lartë dhe janë të vendosur t’i shkojnë deri në fund kësaj kauze”, - ky ishte qëndrimi i ardhur dje nga Partia Socialiste, duke shprehur në mënyrë të qartë strategjinë që do të ndjekë në ditët në vijim ky kamp. Një fakt i tillë u bë me dije nga deputeti i PS-së Namik Dokle. Për pasojë, pritet që kampi opozitar të intensifikojë veprimet e tij me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me kërkesën për transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Por në të njëjtën kohë kjo zgjidhje duhet të vijë sa më shpejt të jetë e mundur, pasi çdo orë më shumë rëndon gjendjen shëndetësore të grevistëve të ngujuar në çadrat e ngritura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që natën e 30 prillit. Për këtë arsye përveç paralajmërimit për ngujimin e të tjerë personave në grevë urie, Partia Socialiste po ndjek një sërë hapash, me qëllim që mazhoranca qeverisëse të dëgjojë kërkesën për dialog të ardhur nga kampi opozitar. Madje, nga ana e tyre familjarë të grevistëve, që vazhdojnë grevën e urisë prej 20 ditësh në kauzën për transparencën e zgjedhjeve, kanë protestuar dje paradite para selisë së Komisionit Europian në Tiranë si dhe përpara Televizionit Publik Shqiptar. Një protestë e tillë u organizua në shenjë solidariteti ndaj të afërmve të tyre, të cilët vazhdojnë grevën e urisë në çadrat para godinës së Kryeministrisë. Me pankarta në duar protestuesit kanë kërkuar transparencë për zgjedhjet e 18 qershorit 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›