E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Tirana një metropol në formim

Konferenca e Unionit të Kryeqyteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore, këtë vit është ndalur në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Në konferencë u vlerësua fakti se Tirana është përballur me sfida të forta zhvillimi, që e kanë bazën në kontrastet e mëdha urbane të kryeqytetit, me potencial të madh zhvillimi, por në një shtet të vogël. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama u shpreh se "kemi nderin që të organizojmë këtu Konferencën e Unionit të Kryeqyteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore dhe t‘ju kemi të gjithë të pranishëm, jo më në një kryeqytet në transformim, por në një metropol në formim". Sipas Ramës, sot, ne ballafaqohemi jo më me problemin e dikurshëm, që kishte të bënte me pikëpyetjen, nëse do ta kishim të mundur të krijonim një kryeqytet nga rrëmujat dhe mbeturinat e një periudhe lirie pa kufi, pa rregulla, pa asnjë lloj vetëpërmbajtje, mbi një terren jashtëzakonisht të vështirë, të trashëguar nga e kaluara. "Sot ne jemi këtu përballë problemesh, sfidash dhe përpjekjesh të reja, në një kryeqytet, që është në rrugën e formimit si metropol, si një pikë referimi, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin e së nesërmes në tërësi, pasi askush nga ata që janë shumica dërrmuese e të gjithë popujve të rajonit, nuk parasheh të ardhme tjetër, përveç asaj të bashkëjetesës pa kufij, pa paragjykime, të bashkëjetesës së energjive dhe ideve për të ardhmen e përbashkët që ua kemi borxh fëmijëve tanë dhe sigurisht duke marrë shembujt e shkëlqyer të qyteteve që janë pjesë e këtij unioni, por që tashmë i kanë kapërcyer ato probleme me të cilat përballemi ne, në rajonin tonë", theksoi kryebashkiaku Rama në këtë konferencë.

Ai i ka kujtuar miqësisht të gjithë pjesëmarrësve se kur të largohen nga Tirana, pa asnjë dyshim do të kenë dëshirën për t‘u rikthyer. "Kjo është sfida e ditës së sotme për ne; që t‘ju bëjmë të bini në një dashuri sado relative me Tiranën, që t‘ju kthejë përsëri këtu për ta thelluar lidhjen me këtë qytet që vjen nga një histori e vështirë, nga përpjekje të mëdha dhe që shkon drejt një të ardhmeje të përbashkët, me bindjen dhe besimin se nuk është e largët dita kur të gjithë së bashku, do të jemi pjesë e një bote pa kufij dhe do të kemi krenarinë që do t‘u lëmë pas fëmijëve tanë, një botë më të mirë", tha Rama. Unioni i kryeqyteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore është një organizatë ndërkombëtare, ku kryeqytetet e Athinës, Beogradit, Bratislavës, Bukureshtit, Budapestit, Kievit, Lubjanës, Nikozisë, Podgoricës, Sarajevës, Shkupit, Sofjes, Tiranës, Vjenës dhe Zagrebit janë anëtarë. Konferenca e kryebashkiakëve është e njohur si një mundësi, ku takimet vjetore të vendeve anëtare, të përcaktojnë bashkëpunimin e mëtejshëm dhe të ndërmarrin hapa të tjerë për çështjet më të rëndësishme në rajon.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›