Rama: Topi President mbi palët, Nano nuk do të jetë kandidatura jonë
29/12/2011 Kryetari i PS intervistë për gazetaren Ilva Tare në emisionin “Tonight”
Kreu i opozitës, Edi Rama, gjatë një interviste dhënë dje në televizionin “Ora News” për gazetaren Ilva Tare është shprehur me superlativa për Presidentin aktual Bamir Topi. Sipas tij, pavarësisht se i zgjedhur nga PD-ja, ai diti të qëndrojë mbi palët. Por nuk ka shprehur të njëjtin qëndrim për ish-liderin historik të së majtës Fatos Nano, të cilin e ka anashkaluar, duke lënë të kuptohet se kandidaturë e PS-së nuk mund të jetë arroganca që përfaqëson Nano dhe se shembulli më i mirë i përzgjedhjes së një kandidature ishte ajo që ndodhi me Igli Totozanin për në Avokaturën e Shtetit.
- Ditët e fundit keni qenë në familjet e viktimave të 21 janarit. “Nuk ka qetësi për familjet e këtyre familjeve pa drejtësi”, - jeni shprehur ju. Jemi shumë larg të dhënit drejtësi?
- Jemi shumë larg, por dhe në kushtet kur rikonfirmohet mungesa e drejtësisë, sidomos për ato familjet e gjymtuara nga pushkët e pushtetit. Por nuk ka qetësi dhe për çdo familje shqiptare në kushtet e mungesës së drejtësisë.
- Prokuroria ka deklaruar se po pengohet për të realizuar këtë mision...
- Prokuroria është penguar që ditën e parë me refuzimin për të dorëzuar të gjithë zinxhirin e komandës dhe më pas është penguar në vijimësi, duke u lejuar të bëjë vetëm një pjesë të procesit, që është pjesa më e pakonsiderueshme e tij, që është ndëshkimi i qytetarëve që qëlluan me gurë, të cilët kanë kaluar në proceset gjyqësore dhe një pjesë e tyre kanë marrë dhe dënimin në gjykatë, ndërkohë që ata që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për krimin ende janë të lirë, madje urdhëruesit e tyre i shesin moral popullit shqiptar.
- Si ishin zgjedhjet lokale për ju, çfarë zgjedhjesh bëmë më 8 maj?
- Bëmë të atilla zgjedhje që i vunë vulën edhe refuzimit të aplikimit për statusin e vendit kandidat. Zgjedhjet e Tiranës treguan në sytë e gjithë botës themelin e proceseve zgjedhore në Shqipëri dhe e vunë vendin përpara një kushti themelor, që ose duhet plotësuar, ose Shqipëria nuk mund të bëjë përpara në procesin e integrimit në BE.
Problemi i zgjedhjeve tona është numërimi.
Ky është një pjesë e problemit, sepse problemin e zgjedhjeve e kemi qysh te hartimi i listave të zgjedhësve e më pas tek identifikimi i zgjedhësve, manipulimi i vullnetit të zgjedhësve me mekanizma elektoralë e sigurisht dhe numërimi. Por me zgjedhjet e 8 majit në Tiranë u shkua edhe më tej: te shkelja flagrante e ligjit dhe ligjërimi i shkeljes përmes një gjykate krejtësisht të nënshtruar ndaj interesave të pushtetit.
- Ditët e fundit një opinionin i Komisionit të Venecies është komentuar nga maxhoranca si dhënie të drejte të asaj që ndodhi në Tiranë me votat e hedhura gabim dhe kërkohet sanksionimi i kësaj procedure në ligj. Cili është mendimi juaj?
- Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se nuk ka qenë në ligj e shkruar? Sepse parimi i numërimit të çdo vote, i dëgjuar kështu sigurisht që nuk mundet dot të konsiderohet një parim i gabuar në themel, por ndryshimi i rregullave të lojës kur loja ka mbaruar dhe pret vetëm të sanksionohet rezultati i saj është një shkelje flagrante kushtetuese dhe ligjore. Të mos harrojmë se edhe në televizion u pa se mënyra si i jemi qasur këtij parimi nuk ka qenë as antikushtetuese dhe e paligjshme. Fakti që vetë Komisioni i Venecies ka kërkuar sanksionimin në ligj të asaj çka u diskutua aq shumë në zgjedhjet e Tiranës tregon se nuk ka qenë në ligj.
- Më pas erdhi largimi juaj nga Bashkia dhe përgatitja për një kurs të ri politik, përgatitja e kongresit dhe rikthimi në Kuvend. Pse vendosët të ktheheni në Kuvend për sa kohë vazhdoni të mos pranoni atë që ka ndodhur më 2009, më 8 maj, por dhe pas 8 majit?
- Ju e ndiqni jetën politike në Shqipëri. PS-ja ka qenë në parlament prej shumë kohësh. PS-ja ka munguar vetëm 6 muajt e parë në parlament dhe pastaj ka qenë vazhdimisht, duke mbajtur një qëndrim legjitim të saj. Ndërkohë që ne nuk jemi rikthyer në parlament pas zgjedhjeve të 8 majit. Ne kemi çelur një fazë të re me një kurs të ri politik për një arsye shumë të thjeshtë, duke vendosur çështjen e zgjedhjeve në qendër të vëmendjes së popullit shqiptar, por dhe të komunitetit ndërkombëtar, gjë që nuk ishte kështu pas zgjedhjeve të 2009-s. Raporti i OSBE–ODHIR-it pas zgjedhjeve të 2009-s ishte një raport, do ta quaja hipokrit, sepse aq sa nënvizonte probleme të rënda në zgjedhje, aq dhe u vinte kapak këtyre problemeve, duke na bërë ne dëshmitarin e vetëm në krim, ndërkohë që rreth e rrotull ishim të rrethuar nga symbyllja dhe veshëmbyllja, gjë që na detyroi të qëndronim shumë fort në llogoren opozitare. Pas zgjedhjeve të 8 majit raporti i OSBE–ODIHR-it është i kristaltë dhe është zgjidhur në themel problemi i vendosjes së zgjedhjeve në qendër të vëmendjes së të gjithë faktorëve që janë të domosdoshëm për demokratizimin dhe integrimin e vendit në BE.
- Presidenti Bamir Topi tha se nuk do të rikandidojë për postin e kreut të shtetit, si do ta cilësoni këtë vendim të Presidentit?
- Unë mendoj që zoti Topi në mënyrë shumë fisnike u deklarua i palidhur me asnjë interes për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm në kuptimin e personit të tij. Besoj se kjo ishte një mënyrë e respektueshme për të lënë të lirë fushën nga çdo lloj spekulimi dhe njëkohësisht për tu dhënë mundësi të gjitha palëve që këtë proces ta ndërtojnë pa “pengesën” e vetë zotit Topi. Me këtë rast besoj se më takon që për hir të së vërtetës ti shpreh respektin Presidentit të Republikës, për të cilin mund të themi çfarë të duam nga pozicioni ynë, por askush nuk mund të mohojë se në mënyrën e tij ishte një president mbi palët. Nuk ishte një president i PD-së, as një president i PS-së. Ishte një president mbi palët. Çdo kritikë që mund ti bëhet për mënyrën se si mund ta kishte administruar në një moment apo në një tjetër funksionin dhe përgjegjësinë e tij vjen më pas. Por konsiderata e parë është kjo: pavarësisht se u votua nga PD-ja, ai nuk ishte një president që i shërbeu partisë, por ishte një president që me këndvështrimin që zgjodhi funksionoi si garanti i Kushtetutës.
- Zoti Topi e la të hapur rikthimin në politikë jo me PD-në, por me një tjetër parti të re.
- Kjo është zgjedhja e tij legjitime e personale dhe unë nuk kam asnjë koment.
- PS-ja ka pasur dhe shumë momente të rëndësishme të saj gjatë këtij viti. Kongresi, strukturimi i forumeve të reja solli në parti një program. Sa i rëndësishëm është fakti që ju keni një program me koncept të theksuar social dhe ekonomik?
- Është pjesë e natyrshme e rrugëtimit tonë drejt fitores së zgjedhjeve përmes këtij kursi të ri që kemi iniciuar pas masakrës së 8 majit. Është një program që i flet Shqipërisë reale, jo Shqipërisë që përpiqet çdo ditë që përpiqet të pikturojë makineria propagandistike e qeverisë, por e Shqipërisë reale, që sot gjendet në krizë e që ka prekur palcën e biznesit shqiptar, një krizë që ka bërë që shqiptarët të jenë më të papunë dhe më të pashpresë. Është një program që këtë krizë e adreson si një mundësi për një fillim të ri, që në këndvështrimin tim do të shënojë mbylljen e një epoke dhe hapjen e një epoke të re, mbylljen e një kapitulli të stërzgjatur të një politike të vjetër dhe hapjen e një kapitulli të shumëpritur. Në thelb programi ynë u thotë 95 % të shqiptarëve se duhet të paguajnë më pak taksa, sepse 5% e tyre që sot zotërojnë më shumë se 50% të pasurisë sonë të përbashkët duhet të paguajnë më shumë taksa. Nga vendosja e një sistemi më të drejtë të barrës së taksave fillon dhe një proces ku duam tu japim drejtësi politikave tona qeverisëse. Kjo do të thotë në radhë të parë që qeveria të bëhet një përfaqësi e përgjegjshme dhe përgjegjëse përpara popullit. Duke i dhënë fund një periudhe shumë të zymtë, kur qeveria në çdo mbledhje të saj bën së paku një padrejtësi duke marrë vendime thelbësisht të padrejta me qëllim përfitimi dhe duke parë domosdoshmërinë për një rilindje të re shqiptare. Për një rilindje të re shqiptare në aspektin e ekonomisë, në aspektin e shoqërisë, të demokracisë dhe në aspektin e marrëdhënieve tona me Europën, për një ribashkim me Europën, siç e quajmë në programin tonë.
- Si mund të arrihet kjo, zoti Rama? Ka dy fjalë shumë të mëdha: rilindje dhe bashkim.
- Programi ynë është një instrument që jemi besimplotë se i garanton këto. Është një program bazë, që do të shtjellohet vitin e ardhshëm në rrugën e programit. Ne do të ftojmë të gjithë shqiptarët që të bëhen pjesë e kësaj rruge duke dhënë mendimet e tyre, duke shprehur opinionet e tyre, duke treguar historitë e tyre. Shqiptarët e zakonshëm, të cilët e dinë mirë se në çfarë gjendje është ekonomia, pasi jetojnë përditë me pamundësinë ekonomike, që e dinë mirë se në çfarë gjendje është ekonomia, pasi ballafaqohen përditë me plagët e ekonomisë, ku duhet të shohin dritë në fund të një tuneli që është i mbyllur për ta, në shërbimet shëndetësore, në shërbimet e arsimit dhe në të gjitha shërbimet publike të shtetit. Ata e dinë mirë se në çfarë gjendje është demokracia, pasi përditë përballen me mungesën e një shteti të të gjithëve dhe me padrejtësinë e kthyer në sistem. Që e dinë mirë se Europa është rruga e vetme jona dhe bashkimi me të një orë e më parë është dhe çlirimi për shumë e shumë ngarkesa që ne vazhdojmë ti mbajmë në kurriz si pasojë e distancës që kemi me Europën. Do ti bëjmë apel edhe eksperiencës dhe ekspertizës më të mirë shqiptare, duke ftuar po ashtu edhe ekspertë të të gjitha fushave pa dallim që të japin opinionet e tyre. Do të hapim të gjitha rrugët e komunikimit, qofshin ato të drejtpërdrejta, qofshin ato të teknologjisë së re, qofshin ato të hapura enkas për ta bërë të mundur këtë proces të hapur, të gjerë, gjithëpërfshirës, të rrugës së programit të ri për Shqipërinë. Do tu japim shqiptarëve programin më të detajuar që një parti politike u ka dhënë në këta 20 vjet për mënyrën se si do të vendosin të qeverisin me votën e tyre.
- Në fakt, tentativën e parë për pjesën ekonomike e bëtë edhe me një iniciativë ligjore për heqjen e TVSH-së për një sërë produktesh që janë jetike për njerëzit dhe për ilaçet, por mazhoranca vendosi të mos e pranojë këtë. Ju keni bërë një koment menjëherë pas seancës...
- Kjo është një tjetër provë e faktit se ata që qeverisin jetojnë në një botë tjetër, jetojnë në një botë tjetër nga ku, siç e tha Saliu përpara pak ditësh në studion tuaj, ku duket se shqiptarët kanë 9 mijë dollarë të ardhura për frymë. Çfarë do të thotë që një familje, me mesatare sipas censusit 4 persona, ka 36 mijë dollarë për frymë, çfarë do të thotë që çdo muaj, sipas atyre që qeverisin dhe refuzojnë propozimet tona për ta lehtësuar sadopak barrën e madhe të çmimeve dhe të pafuqisë ekonomike, ka 3 mijë dollarë në muaj. Pra, në këndvështrimin e pushtetit të sotëm Shqipëria jeton suksesin e madh ekonomik të një politike mrekullish, siç e quajnë, dhe shqiptarët kanë në familje 3 mijë dollarë në muaj. Në rast se kjo njerëzve u duket diçka tjetër nga një tallje cinike, atëherë sigurisht që Shqipëria do ta ketë të vështirë të bëjë një zgjedhje të re. Unë jam i bindur se nuk është kështu. Unë jam i bindur se për çdo shqiptarë të arsyeshëm dhe për çdo njeri që jeton në punën e vet të ndershme dhe për çdo familje që jeton me 1001 vështirësitë për të jetuar me punën e ndershme është e pamundur të gëlltitet kjo lloj çorbe që i jepet çdo ditë e çdo ditë përmes një makinerie propagandistike të mbështetur nga shkelja flagranteve e kushteve të barazisë dhe të konkurrencës në medie. Sot familjet shqiptare kanë nevojë për një politikë të re në të gjitha aspektet, por në radhë të parë për një politikë të re ekonomike, e cila të mos lejojë që kriza tu shkarkohet atyre që janë pa zë, atyre që nuk kanë mundësi ta ngrenë zërin, atyre që jetojnë matanë sipërfaqeve dhe ekraneve, apo të faqeve të para të gazetarëve, në varfëri, në papunësi dhe në braktisje të madhe sociale.
- Në shumicën e kohës gjatë këtyre muajve, kur çështja e integrimit ka qenë herë pas here parësore dhe për hir të së vërtetës ka pasur një ecje përpara falë edhe iniciativave tuaja, por dhe bashkëpunimit me mazhorancën. Por në mënyrë të vazhdueshme zoti Berisha ju ka bërë përgjegjës ju, opozitën, PS-në, realisht sipas këndvështrimit tuaj kush është përgjegjës për këtë vonesë të integrimit?
- Kush e ka përgjegjësinë për ta udhëhequr vendin, qeveria apo opozita? Kush e ka përgjegjësinë për tiu përgjigjur ekzigjencave të vendit në raport me komunitetin ndërkombëtar, qeveria apo opozita? Kush e ka përgjegjësinë për të plotësuar ato prioritete që janë të vendosura në tavolinë nga BE-ja, qeveria apo opozita? Unë mendoj se çdo njeri i logjikshëm e kupton që kjo është përgjegjësia e qeverisë. Edhe vetë arritja e një bashkëpunimi me opozitën, edhe vetë arritja e kompromiseve me opozitën, edhe vetë arritja e përfshirjes së opozitës në një proces ku opozita është e domosdoshme, është përgjegjësi e qeverisë. Të akuzosh opozitën se është përgjegjëse për bllokimin e procesit të integrimit, do të thotë të thuash me fjalë të tjera se opozita është përgjegjëse për grabitjen e zgjedhjeve në Tiranë, se opozita është përgjegjëse për krimin e organizuar dhe korrupsionin, që janë thelbësore në arsyet pse u refuzua Shqipëria, që opozita është përgjegjëse për çështjen e pazgjidhur të pronave, që opozita është përgjegjëse për një sërë çështje të tjera që përmbajnë këto prioritete të vendosura nga Bashkimit Europian. Kjo nuk është e vërtetë dhe kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Në rast se marrim problemin e krizës së parlamentit, që është edhe ky një aspekt i të gjithë këtij kuadri problematik, atëherë përsëri mendoj që të akuzosh opozitën si e vetmja përgjegjëse, madje edhe si përgjegjësja më e madhe, është djallëzore dhe e pavërtetë. I takon qeverisë, i takon shumicës që të gjejë rrugët për të krijuar kushtet që parlamenti të funksionojë më së miri. E kam dëgjuar Saliun të thotë se opozita serbe, opozita kroate, opozita këtu e aty nuk i bëjnë ato që bën opozita këtu në Shqipëri, dhe prandaj këto vende po ecin më shpejt se ne. Kjo është një tjetër tallje cinike me shqiptarët, sepse konstatimi nuk fillon nga opozita, fillon përsëri nga qeveria. Cila nga qeveritë e këtyre vendeve që janë përpara nesh (kroatët u futën në BE) bën me opozitën dhe bën me kushtetutën e me ligjet, bën me proceset gjyqësore edhe me skandalet e veta të korrupsionit, ato që bën qeveria shqiptare, absolutisht asnjëra. Ndërkohë që është absolutisht e vërtetë se në të gjitha ato vende opozitës i krijohen kushte ideale për të qenë pjesë e procesit dhe i jepen mundësitë që të kontribuojë në këtë proces. Megjithatë, ne e kemi marrë atë pjesë të përgjegjësisë që na takon, duke qenë të bindur se nuk është e mundur që kjo qeveri ta bashkojë Shqipërinë me Europën. Vetëm ne mund tia dalim dhe e kemi detyrim kombëtar ta marrim përsipër misionin e bashkimit të Shqipërisë me Europën, duke bërë gjithçka mundemi sot në opozitë dhe duke realizuar këtë mision nesër në qeveri. Për këtë arsye i kemi dhënë një shtysë shumë të fortë procesit përpara dhe do të vazhdojmë ti japim duke bërë gjithçka na takon, jo sepse jemi në marrëveshje me PD-në apo me qeverinë, se nuk kemi asnjë lloj marrëveshjeje me PD-në apo me qeverinë, por sepse jemi në marrëveshje me Europën. Dhe çdo pikë e kësaj marrëveshjeje me Europën, që kërkon uljen tonë në tavolinë për të zgjidhur me urtësi dhe me largpamësi probleme që kanë të bëjnë me integrimin evropian, na imponon të jemi në tavolinë.
- Një prej këtyre pikave të rëndësishme që është për ta çuar përpara këtë integrim dhe që ju ia keni krijuar mundësinë edhe me këtë bashkëpunim që sapo thatë, Kryeministri Berisha, duke folur për reformën zgjedhore, hodhi poshtë kategorikisht idenë e rishikimit të sistemit, madje edhe për çështjen e listave të hapura, që e kanë kërkuar aleatët e PS-së, por dhe aleatët e Kryeministrit Berisha. Cili është qëndrimi juaj për çështjen e sistemit?
- Qëndrimi ynë është i qartë. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë dhe të biem dakord me partitë e vogla për tu dhënë atyre mundësinë që të kenë një përfaqësim më të drejtë, sipas tyre. Dhe ky është një qëndrim që buron edhe nga domosdoshmëria që procesi ofron të jetë një proces gjithëpërfshirës, të jetë një proces transparent, një proces i ndershëm me të gjithë, pastaj kuptohet që secili ka votën e tij. Dy partitë e mëdha kanë veton e tyre dhe, në rast se PD-ja e vendos këtë veto, sigurisht që nuk mund të ketë një ndryshim sistemi. Asnjë lloj ndryshimi, në fakt, në ligjin zgjedhor. Por ne jo vetëm nuk do të vendosim veton, por përkundrazi, do të hapim të gjitha kanatet e komunikimit me partitë e vogla dhe do të bëjmë gjithçka na takon për të gjetur mirëkuptimin me ta për tu thënë që PS-ja është e gatshme ta rishikojë sistemin në funksion të rritjes së proporcionalitetit, çka do të thotë se përsëri ne, marrëveshja me Evropën dhe misioni që kemi marrë përsipër si alternativa evropiane e shqiptarëve na imponon të sillemi si evropianë, si demokratë dhe si shqiptarë të urtë, që ti japim të gjitha shanset përmirësimit të sistemit në këtë rast, përmirësimit të çdo ligji në çdo rast dhe përmirësimit të politikës në Shqipëri në të gjitha rastet. Duhet të kujtojmë se për 2 vjet me radhë dhe qindra herë, qoftë Saliu, qoftë përfaqësuesit e qeverisë e kanë përsëritur se janë të gatshëm të pranojnë çdo ndryshim të sistemit që kërkon opozita, madje kanë arritur të thonë se “jemi të gatshëm të pranojmë të ndryshojmë edhe krejt sistemin, në rast se opozita e kërkon”. E si është e mundur që sot, kur opozita është e ulur në tryezë, ta refuzojnë kategorikisht një gjë të tillë. Megjithatë, shqiptarët na shohin, na dëgjojnë dhe le të na gjykojnë. Ne nuk kemi mekanizma për të ndryshuar gjërat me forcë, sepse demokracia nuk e prezumon një gjë të tillë. Ama u takon qytetarëve që të gjykojnë sjelljen dhe rezultatet e çdo sjelljeje të çdo force politike.
- Një çështje tjetër që vuri në dyshim ishte edhe numërimi elektronik dhe zoti Berisha mori një shembull nga procesi që përdorët në Asamble...
- Tani që ai ka zgjedhur ti referohet Nastradinit sa herë që kërkon ti shmanget një problemi dhe diskutimi serioz, duke gjetur veshë që e dëgjojnë në një pjesë të elektoratit, kjo është një gjë që dihet, nuk është një gjë e re dhe nuk është një gjë që ka ndodhur për herë të fundit, në rastin që përmendni ju. Numërimi elektronik në proceset zgjedhore bëhet me makineri të ndërtuara për atë punë dhe mjaftueshmërisht të sofistikuara, të cilat po hyjnë gjithnjë e më shumë në proceset elektorale. Ajo çka ne bëmë në Asamblenë tonë Kombëtare ishte një eksperiment i vullnetit të mirë, me një makineri që e gjetëm këtu nga ato makineri që numërojnë apo që llogaritin notat e provimeve apo që përdoren në konkurset e universiteteve dhe që kishte disa ekzigjenca të karakterit teknik për mënyrën se si vendosen votat, që praktikisht e bën të pamundur numërimin elektronik dhe të shpejtë, gjë që na ktheu te numërimi tradicional, që mbaroi brenda ditës dhe jo ashtu siç e tha këtu Saliu se u desh një javë ditë-natë që të numëronin. Kur dëgjon të tilla broçkulla, të thëna pa asnjë gajle, gjëja që shqetëson më shumë është se ka, megjithatë, shqiptarë që e dëgjojnë dhe e besojnë, ndërkohë që rrena është e pranishme në çdo rast kur ka një përgjigje serioze për të dhënë dhe kur ka një çështje serioze për të debatuar, për tju shmangur së vërtetës, për tju shmangur problemit, për tju shmangur shqetësimit real dhe për të krijuar menjëherë një mjegull, pas së cilës njerëzit të mos jenë më në gjendje të shohin mirë se ku është e vërteta dhe ku është gënjeshtra.
- Flasim për një çështje që ka qenë në diskutim, çështja e çregjistrimit të zotit Islami. Ka kthim mbrapa, duke pasur parasysh edhe kontributet e zotit Islami?
- Nuk ka asnjë kthim mbrapa në këtë çështje. Tashmë është një çështje e mbyllur, madje është dhe një çështje e vjetër me shpejtësinë e lajmeve dhe të informacionit. E vetmja gjë që dua të rinënvizoj për të respektuar pyetjen tuaj është se Partia Socialiste është një bashkim vullnetar. Sigurisht që garanton liri dhe hapësirë për mendimin e të gjithëve, por nuk mund të sfidohet nga askush në themelin e bashkëjetesës së vet. Ndërkohë që ka boll hapësirë për të thënë dhe për të mbajtur qëndrime që bien ndesh me interesat, që bien ndesh me politikën, që bien ndesh me vendimet e Partisë Socialiste, dhe kjo i garanton mundësinë çdo individi që të vazhdojë të bëjë politikë, por jo në Partinë Socialiste dhe në dëm të Partisë Socialiste. Pra, zoti Islami ishte një lloj sfidimi për PS-në, ndryshe nga zoti Malaj, që madje edhe u rizgjodh në kryesinë e partisë, apo zotin Blushi po ashtu. Është i njohur episodi. Nuk ishte vendimi që vajti te Kastrioti, por ishte Kastrioti që vajti e u përplas te vendimi i marrë përpara sesa ai të bënte aktin e shkeljes së një vendimi politik, për të cilin statuti është i qartë. E jo vetëm statuti, por në frymën e mirëkuptimit pas disa ngjarjesh të papëlqyeshme në kohë, grupi parlamentar vendosi që të zbatohet rigorozisht dhe të gjithë kontribuan për zbatimin e tij. I vetmi që e theu vendimin pa asnjë arsye tjetër përveç faktit që cenoi arbitrarisht këtë vendim ishte Kastriot Islami dhe mori atë që meritonte.
- Duke iu referuar një shkrimi tuajin në faqen në internet lidhur me ish-presidentin Meidani. Ka qenë një kritikë miqësore, por që kishte në thelb edhe disa divergjenca që keni ju me zotin Meidani?
- Sigurisht që ka qenë një replikë miqësore. Sigurisht, përderisa ka qenë një replikë, ka qenë shprehje e një opinioni të ndryshëm dhe ajo që çudit është se ndërkohë që nga ana e ish-presidentit Meidani apo edhe e të tjerëve janë dhënë në mënyrë konstante opinione të ndryshme nga opinioni im apo edhe nga opinioni i përgjithshëm në PS dhe janë respektuar maskimalisht gjatë gjithë kohës, skandalizohen nga një opinion i ndryshëm me opinionet e tyre. Kjo është diçka që duhet kapërcyer si mendësi dhe asnjëherë nuk duhet harruar se vërtet diktatura e shumicës është një risk që mirë është të shmanget për një forcë të shëndetshme politike, por, nga ana tjetër, smund të ketë kurrsesi diktaturë të asnjë pakice, në kuptimin e imponimit me pahir të opinioneve të veta. Pra, kemi nevojë të harmonizojmë ende më shumë elementet e bashkëjetesës sonë brenda një diversiteti mendimesh. Është pasuri e familjes sonë politike dhe ky diversitet mendimesh duhet të jetë forca dhe nuk mund të bëhet dobësia.
- Është diskutuar para kohe ndoshta shfaqja e kandidaturës së zotit Nano për postin e Presidentit. Në një komunikim pak ditë më parë zoti Nano tha se “PS-ja nuk ka vdekur”, duke nënkuptuar se mund të marrë votat brenda PS-së, në rast se do të jetë si kandidaturë...
- Unë mendoj se ky nuk është një proces i marrjes së votave këtej e andej. Unë mendoj se ky është një proces që duhet parë përsëri dhe unë e shoh përsëri në funksion të interesit kombëtar, që sot është i njehsuar me interesin e integrimit sa më të shpejtë në BE. Na duhet një proces evropian. Në radhë të parë ne dëshirojmë të ndërtojmë profilin e presidentit që i duhet sot vendit, pa paragjykuar asnjë emër, por pa u nisur nga asnjë emër dhe përsëris, edhe pse ka pasur një refuzim banal, nga ana tjetër, për atë që unë kam shprehur, përsëris se ne na duhet të shkojmë drejt një presidenti mbi palët. Duhet një president që të mos jetë shprehje e arrogancës së një shumice shumë të kufizuar numrash, edhe pse Kushtetuta e ndryshuar parasheh që në rast se 3 raundet e para dështojnë, atëherë presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë, por kjo nuk do të thotë që ne harrojmë se fryma e Kushtetutës kërkon një president tërësisht të shkëputur nga interesat e palëve dhe mishërim të interesit kombëtar, të unitetit kombëtar dhe të Kushtetutës dhe të pavarësisë së atij institucioni. Për më tepër, po të shohim edhe eksperiencat e vendeve të tjera, marrim Greqinë apo vendet e tjera, pavarësisht se shkojnë në fund procedurialisht në fund drejt 50 plus 1, në frymë që në fund kanë një traditë që bien dakord për një figurë që si rregull për të mirën e vendit dhe në interes të kombit është mbi palët dhe është jashtë palëve. Kështu që edhe në këtë rast ne shqiptarët na ndjekin, na dëgjojnë dhe do të na gjykojnë. Ne do tu themi shqiptarëve se çfarë presidenti duam për Shqipërinë dhe sigurisht edhe në këtë rast çka na intereson është interesi kombëtar, është interesi i Shqipërisë evropiane dhe jo interesi partiak, gjë që modestisht e treguam me një shembull, i cili në këndvështrimin tim u dha një shenjë njerëzve të këtij vendi për mënyrën se si duam ta administrojmë Shqipërinë përmes një administrimi publik evropian me Avokatin e Popullit. Pra, ky është vizioni ynë, dhe kjo është rruga jonë dhe në këtë rrugë dhe me këtë vizion ne duam ti japim Shqipërisë një politikë të re.
Rama mbron foton nudo të kartolinës për festat
Kryevepër botërore, ata që e shajnë, janë “derra të kënaqun”
Edhe gjatë ditës së djeshme kreu Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë aktiv në rrjetin social “Twitter”. Por në mesazhet e tij të shkurtra në adresën e tij personale kreu i socialistëve trajtoi dy çështje. Natyrisht që njëra prej tyre nuk mund të mos ishte kundërvënia ndaj qeverisjes aktuale, e konkretisht ndaj Kryeministrit Sali Berisha. Por përpara shigjetimit për kreun e ekzekutivit kryetari i PS-së i kushtoi një mesazh dhe fotografisë nudo të publikuar në blogun e tij. Në këtë mesazh më shumë sesa sqarues Rama ishte ironik për trajtimin që iu bë kësaj fotoje nga mediet e shkruara dhe vizive, por dhe nga vetë qytetarët.
Kartolina
“Qeveria mbushi lëveret me foton e Man Ray. Qenka fyerje për shqiptarët kryevepra botërore e kartolinës tek edirama.al! çderra të kënaqun!” - shfrynte Rama në rrjetin social “Twitter”. Por ky mllef i kreut të socialistëve, edhe pse i drejtuar për mazhorancën, në mënyrë të tërthortë adresohej dhe për qytetarët dhe medien në tërësi, sepse impakti i krijuar nga fotoja me të cilën Rama u uronte festën e fundvitit, solli mjaft reagime të ashpra.
Ndryshe nga vitet e shkuara, kur kreu i PS-së ka dërguar kartolina për të uruar miqtë, personalitetet, kolegët, gazetarët apo edhe qytetarët, këtë fund viti ai ka publikuar edhe në blogun e tij në internet kartolinën nudo. Portreti “Le violion dIngres” është vepër artistike e Man Ray, e realizuar në vitin 1924 dhe ka qenë revolucion për atë kohë. Nuk ka asnjë sqarim pse Rama ka zgjedhur pikërisht këtë vepër nudo për të uruar këdo që klikon te blogu, edirama.al. Ajo çka paraqitet në portret nuk duket se ka asnjë pikë të përbashkët me një urim të festave të fundvitit. Babagjyshi i Vitit të Ri, pema e Krishtlindjeve është zëvendësuar me këtë portret.