Rama: Transformuam imazhin e Shqipërisë, liderët e Europës në Tiranë më 16 maj

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se Shqipëria është kthyer në një vend, me një imazh tjetër për mbarë botën, ku fluksi i turistëve sa vjen e shtohet, por dhe një pikë takimi për tryeza të rëndësishme ndërkombëtare.
Në një takim me socialistë të Gramshit, Rama tha se “e kemi bërë sot Shqipërinë nga një vend që nuk ia hidhnin sytë, në një vend që i sheh të tjerët në sy dhe e shohin në sy”.
“E kemi kthyer Shqipërinë nga një vend që turizmin e mbështeste te patriotizmi i vëllezërve dhe motrave nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, jemi bërë një vend me 12 milionë turistë vitin shkuar, por edhe një vend ku më 16 maj, 5 ditë pas zgjedhjeve do të mblidhet e gjithë Europa në Tiranë, ku të gjithë udhëheqësit e kontinentit nga Britania në Turqi, nga Azerbajxhani në Portugali, nga Armenia në Norvegji, nga Zvicra në Ukrainë, të gjithë të parët e këtyre vendeve do të vinë aty te Skënderbeu”, tha Rama.
Rama theksoi se, kjo ndodhi sepse ne i qëndruam besnikë asaj që thamë, ndërsa ata kurrë nuk e bënë.
“Ne pasi morëm pushtetin vendosëm t’i dorëzojmë drejtësisë shpatën e ndëshkueshmërisë dhe ta pavarësojmë pushtetin e drejtësisë nga politika. Që në vitin 1912, kur u shpall shteti shqiptar, drejtësia varej nga qeveria dhe qeveria nga i pari i qeverisë dhe njëri pas tjetrit u ndërruan regjimet u bë Republikë, pastaj Mbretëri, diktaturë komuniste, pastaj u kthye në demokraci, dhe shpata e drejtësisë qëndroi te zyra e të parit të qeverisë, te zyra ku jam unë sot, po ku nuk është më sot ajo shpatë, sepse ne ia dorëzuam drejtësisë”, u shpreh Rama.
“Jam krenar se për herë të parë në historinë e këtij vendi barazia përballë ligjit nuk është parrullë por është përpjekje dhe barazia para ligjit është për ata që kanë pushtet dhe nëse ka një arsye pse duhet votuar PS është pikërisht kjo”, tha Rama.
Ai solli në vëmendje se thirrja në zgjedhjet e 2017-n: “Më lini të drejtoj makinën pa të tjerë në prehër”, kishte në thelb faktin se me të tjerët nuk bëhej dot drejtësi e pavarur, që të godiste majtas dhe djathtas e të shihte vetëm drejtë.
“Kur unë ju thoja në 2017-n: ‘Më lini timonin dhe më lini ta drejtoj unë këtë makinë, pa të tjerë në prehër’, se me të tjerët nuk e bëjmë dot drejtësinë e pavarur që të godasë majtas dhe djathtas e të shohi vetëm drejtë. Për këtë e kërkoja unë timonin në 2017-n dhe mos harroni, që ishte koha kur ato deri në momentin e fundit nuk donin të hynin në zgjedhje dhe rrinin te çadra, që e mbante hapur Luli, por ama kunjat e çadrës i kishte Bufi i Kënetës dhe dikush tjetër që nuk dua ti zë as emrin. Dhe sot shihni si e kanë mendjen, ata që dalin në media dhe përpiqen të çorodisin popullin shqiptar duke thënë: ‘Këta janë hajdutë, nuk mund të votohen më, këta e kanë gjysmën e qeverisë në burg’. Keni parë ju hajdut që t’ia dorëzojë të gjitha kodet e shtëpisë, drejtësisë? Në 12 vite qeverisje, kemi pasur njerëz që kanë pasur role dhe kanë hasur probleme me drejtësinë, dhe për këtë ne duhet të ulim kokën? Na vjen keq nga ana njerëzore, por përballë të gjithë qytetarëve unë jam kryelartë se nuk ia kam marrë votën për të bërë sikur do të bëjmë drejtësi, apo të përdor drejtësinë ndaj kundërshtarëve dhe kur vjen puna te shtëpia jonë, ajo pastrohet ripërtërihet, por edhe përmes drejtësisë”, tha Rama.
/r.e//a.f/