E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Tre gjëra për Berishën mbi zhvillimet në kuadrin e tryezës së Strasburgut Kryetari i PS, Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në komunikimin e sotëm për mediat, nënvizoi tre gjera për Kryeministrin Berisha lidhur me zhvillimet në kuadrin e tryezës së Strasburgut. “E para, qeverisë nuk i kërkon kush të ofrojë hapësirë për opozitën, po i kërkojmë të mos pengojë opozitën të shfrytëzojë hapësirën që i jep Kushtetuta, ligji dhe mandati i popullit”, tha kreu i PS. Sipas tij, PS kërkon nga zoti Berisha as më shumë e as më pak sesa të kuptojë që ky vend nuk është mbretëri, por është Republikë Kushtetuese. Sipas tij, në këtë vend askush nuk mund të ndalohet të gëzojë, lirinë që i jep Kushtetuta dhe të ushtrojë të drejtat që i jep ligji. “E dyta zoti Berisha as e mishëron, as e përfaqëson sovranitetin e vendit, po thjesht drejton një prej pushteteve kushtetues të këtij vendi sovran, ku kryeministrit nuk i ka dhënë as Kushtetuta, as ligji, dhe as më pak pastaj populli, ndonjë mandat për të folur a për t’u sjellë si të ishte naltmadhnia ynë ose akoma më keq për të vepruar kundër Kushtetutës, ligjit dhe interesave publike apo private të kujtdo shqiptari”, tha ai. Së treti, kryesocialisti nënvizoi se “afati dy javor, ka padyshim një përmbajtje ultimative, të cilën zoti Berisha njësoj si ai, nuk ka asnjë arsye as ta dyshojë, e as ta mohojë, përderisa u është thënë fare shkoqur nga miqtë dhe partnerët e Shqipërisë, edhe publikisht, se çfarë kostoje do të kishte për vendin moszgjidhja e problemit të transparencës brenda këtij afati”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›