E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porosia shpresëdhënëse

Komisarja Europiane për Drejtësi, Cecilia Malmstrom, ka folur edhe për Kosovën, të mërkurën, kur në Bruksel publikoi vendimin e kolegjit të komisioneve për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën.

Ajo tha se po përgatitet një plan që lehtëson procedurat e marrjes së vizave për qytetarët e shtetit të ri.

“Ka një plan për të lehtësuar vizat edhe për Kosovën. Por, plani është ende në përgatitje e sipër”, u shpreh Komisarja Malmstrom.

Sipas saj, qytetarët e Kosovës nuk do të mbeten të izoluar nga pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor.

“Po punojmë me autoritetet kosovare në mënyrë që t’i ndihmojmë ata të ecin përpara në këtë drejtim dhe ka padyshim një plan për të lehtësuar lëvizjen e lirë edhe të kosovarëve”, shtoi Komisarja Malmstrom.

Vendimi i Brukselit për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, sipas zyrtarëve europianë, është shenjë e qartë pozitive edhe për Kosovën.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Europian në Kosovë, Renzo Daviddi, gjatë një ligjërate me studentë të Universitetit të Prishtinës, tha se Kosova nuk do të ngelet prapa në rrugën drejt integrimeve europiane.

“Fakti se brenda një kohe ky liberalizim po i jepet Shqipërisë dhe Bosnjës, është një hap pozitiv për tërë rajonin. Kjo tregon shumë qartë se nëse një vend i kryen detyrat e shtëpisë, ai vend merr diçka në fund si këmbim”, tha Daviddi.

“Unë nuk mendoj se Kosova do të mbetet prapa. Tash janë vënë propozimet në tryezë për të filluar regjimi i vizave. Ekziston një përkushtim i qartë, i cili është përsëritur edhe nga Komisionari Fule, kur ka qenë këtu para ca javësh. Unë pres që ky proces të fillojë së shpejti, por fillimi i procesit nuk nënkupton edhe përfundimin e tij”, shtoi ai.

Ndryshe, sipas një njoftimi të Zyrës për Informim të Komisionit Europian në Prishtinë, komisarët Stefan Fule dhe Cecilia Malmstrom kanë rikonfirmuar kohëve të fundit se Komisioni Europian është i përkushtuar të fillojë dialogun për viza me Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur me kusht që të zbatohen reformat relevante.

Sipas këtij njoftimi, para se të mund të fillojë dialogu për vizat dhe të mund të hartohet një strategji për viza, Kosova duhet ta miratojë legjislacionin e saj për ri-pranim të shtetasve, të konsolidojë kapacitetin e saj administrativ për të shqyrtuar kërkesa për ri-pranim dhe të zbatojë një strategji efikase të ri-integrimit.

Në njoftim thuhet se Komisioni tashmë ka dërguar dy misione ekspertësh për ta vlerësuar situatën, një mision i tretë do të nisë punën së shpejti, ndërkaq rezultatet e këtyre misioneve do të përcaktojnë nisjen e dialogut për vizat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›