Rama: Tropoja, një nga zonat më pak e financuara në veri, e bëmë destinacion turistik

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi nga Lezha se katër vitet e ardhshme do të jenë më të mirat në rrugëtimin drejt zhvillimit të vendit, duke theksuar se progresi nuk ndodh thjesht me kalimin e kohës, por falë njerëzve që e drejtojnë me vizion dhe punë.
“Katër vitet që vijnë do të jenë katër vitet më të mira të këtij rrugëtimi. Ka nga ata që thonë se progresin e solli koha, por koha nuk sjell zhvillimin. Koha sjell njerëzit, dhe këta njerëz ose sjellin zhvillimin, ose sjellin shkatërrimin”, tha Rama në takimin electoral me banorë të këtij qarku.
Duke komentuar situatën brenda opozitës, ai kritikoi faktin që shumë kandidatë që fituan primaret nuk janë përfshirë në listat për zgjedhjet e 11 majit.
“Kush fitoi primaret në shumë qytete, Tiranë, Elbasan, Sarandë, nuk është fare nëpër lista. Kreu i PD-së së Kavajës, që doli i pari në të gjithë Tiranën, nuk është në listë, as në fushatë. Unë e di ku është: e ka ngrënë “bufi”. Dash Sula, më i votuari në Elbasan, nuk është fare në listë. Kryetarja e PD-së në Sarandë, fitoi primaret, por nuk figuron askund”, u shpreh Rama.
“Bufi”, vijoi Rama, nuk do njerëz me personalitet që dalin nga baza, ‘insekte’ që mund të bëhen flutura. “Ai do llumin, që e mban lidhur pas vetes dhe që ushqehet sa herë del në rrugë”, shtoi Rama.
Kryeministri komentoi edhe vizitën e kreut të opozitës në Tropojë, duke theksuar ndryshimet që, sipas tij, ka sjellë qeveria socialiste në atë zonë.
“Tropoja, nga e gjithë zona e veriut, ka qenë më pak e financuara deri kur erdhëm ne në qeveri. Kam vajtur atje vite më parë dhe ishte ende siç e kisha lënë kur isha student. U thosha tropojanëve se do ta kthenim në destinacion turistik, dhe sot po ndodh. Në Tropojë fliten shumë gjuhë, pasi turistët hyjnë e dalin. Rrugën e Valbonës e bëmë ne. Ato bujtina dhe turist është vetëm fillimi i një historie të re për Tropojën”, tha ai.
Në mbyllje, Rama theksoi se Partia Socialiste është e angazhuar të qeverisë dhe të fitojë sërish besimin e qytetarëve, duke u bërë thirrje edhe demokratëve të zhgënjyer që të bashkohen për një të ardhme më të mirë.
“Bufi nuk ka vizion tjetër veç përçarjes, ose me kënetën, ose kundër. Ndërsa ne u themi demokratëve: ejani, ndihmoni ta thajmë atë kënetë, pastaj të shikojnë ta rilindin nga e para. Ne do të qeverisim. Kemi fituar dhe do të fitojmë”, përfundoi Rama. /j.p/