Rama: “Paketa e Maleve” hap minierën e arit të turizmit shqiptar

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se, Lezha do të njohë një hov të madh në turizëm, në sajë të investimeve që po bëhen në çdo drejtim.
Në takimin përmbyllës të fushatës së 11 majit në qarkun Lezhë, Rama u shpreh se, kur Pierini, kryetari Bashkisë Lezhë, thotë se dua ta bëj bregun e Lezhës si ai i Spanjës, nuk thotë kot, se vlera e pronave në Lezhë, dhe kudo në Shqipëri, pesëfishohet, pasi këtë e ka treguar historia e anëtarësimeve në BE”.
Ai ftoi shqiptarët që deri në 2030, të vijnë e fillojnë të invesojnë.
“Paketa e Maleve është bërë për ju, sepse miniera e arit e turizmit shqiptar nuk është hapur akoma, sepse nuk është bregu, janë malet. Kur të zbulojë bota malet, investimet e nivelit të lartë që do të bëhen në Shqipëri, përveç atyre të nivelit të ulët për turistët e masës, Shqipëria do të rreshtohet në të njëjtin grup me Austrinë, Zvicrën që kanë malet për turizmin dhe marrin përfitime marramendëse”, u shpreh Rama. /j.p/
1 nga 8