Atentatet e bujshme politike në SHBA, thyhet heshtja pas tri dekadash
Shtetet e Bashkuara, pas 30 vjetësh u tronditën sërish nga atentati ndaj një zyrtari të lartë. Rasti i fundit është sulmi ndaj anëtares së Dhomës Përfaqësuese, Gabriel Gifords, e cila u qëllua nga një 22-vjeçar, që la të vdekur 6 persona dhe plagosi 13 të tjerë. Policia e ka arrestuar të armatosurin e dyshuar. Presidenti Obama dhe Zonja e Parë, Mishel, nderuan viktimat e 8 janarit në Arizona, ku cak i sulmit ishte kongresistja Gabriel Gifords. Shtetet e Bashkuara rrallë janë ballafaquar me tragjedi si kjo. Anëtari i fundit i Kongresit është vrarë para 30 vjetësh. Ishte 18 nëntori i vitit 1978, kur anëtari i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të SHBA-ve, Leo Rajan, demokrat nga Kalifornia, ishte në mes të udhëtimit të tij për në Guajana, shtet në pjesën veriore të Afrikës së Jugut. Ai dhe stafi i tij po zhvillonin hetime për raportet se kulti amerikan, i quajtur Tempulli i Popullit, fillimisht me prejardhje nga rajoni i distriktit kongresional të Rajanit në San Francisko, ishte rivendosur në këtë hapësirë dhe po i mbante njerëzit kundër vullnetit të tyre. Ai u tha anëtarëve të kultit se ishin të lirë të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara së bashku me të. Por, Leo Rajan dhe ata që e shoqëronin, u sulmuan nga anëtarët e Tempullit të Popullit, afër vendit Xhonstaun. Leo Rajan dhe katër persona të tjerë u vranë. Më vonë, më se 900 pjesëtarë të Tempullit të Popullit bënë vetëvrasje masive, në ngjarjen e njohur me emrin "Masakra Xhonstaun". Para atentatit kundër zotit Rajan, anëtari i fundit i Kongresit që ishte vrarë në atë kohë, ishte senatori Robert Kenedi, që po synonte nominimin presidencial në Partinë Demokratike, në vitin 1968. Pasi kishte arritur një fitore madhore në Kaliforni, më 6 qershor të vitit 1968, Kenedi mbajti një fjalim të paluhatshëm dhe u vra disa momente më vonë nga Sirhan Sirhan, një palestinezo-amerikan, i cili pati thënë se ishte i motivuar nga zemërimi i tij për politikën e Kenedit ndaj Lindjes së Mesme. Më tepër se tri dekada para vrasjes së Robert Kenedit, një tjetër senator me ambicie presidenciale, Huej Long, nga Luiziana, ishte vrarë. Atë e kishte vrarë nipi i kundërshtarit të tij të ashpër politik. Xhejms Hinds, që e kishte përfaqësuar Arkanzasin menjëherë pas Luftës Civile Amerikane, ishte vrarë nga një anëtar i Ku Klux Klan, gjatë një ngjarjeje publike në vitin 1868. Vrasjet e presidentëve janë më tepër të njohura, e veçanërisht vrasja e ish-presidentit Xhon F. Kenedi, i cili ishte vrarë në Dallas të shtetit Teksas, në nëntor të vitit 1963. Në atë kohë, televizionet e kishin ndërprerë programin e tyre të rregullt për ta dhënë lajmin e vrasjes. Vrasja e Xhon Kenedit pati ndikim të gjatë në shumë amerikanë. Tre presidentë të tjerë po ashtu janë vrarë: Abraham Linkoln në vitin 1865, Uilliam Mekinli më 1901 dhe Xhejms Garfild në vitin 1881. Disa presidentë të tjerë u shpëtuan atentateve. Kjo i ka ndodhur dhe ish-presidentit Ronald Reagan, i cili u qëllua në qafë, më 30 mars, 1981, pas vetëm 69 ditësh në presidencë. Zoti Regan i kishte shpëtuar atentatit, edhe pse kishte humbur gjysmën e gjakut të tij. Në vitin 1975, kundër ish-presidentit Gerard Ford ishin ndërmarrë dy sulme me armë gjatë një muaji. Në vitin 1950, dy nacionalistë portorikanë u përpoqën të vrisnin presidentin Heri Truman, por kjo tentativë dështoi.
BOX- Ish-shoku i vrasësit: Lofner donte vëmendjen e publikut
Disa orë para se të kryente atentatin në Tuson të Arizonës, Xhared Lofner tentoi komunikoi në telefon me një shokun e tij të vjetër, Brus Tiernin, me të cilin nuk fliste më që prej një viti. Rreth orës dy të mëngjesit të së shtunës, Tierni mori një telefonatë nga Lofner, nga një numër i paidentifikuar. Më pas ai dëgjoi zërin e 22-vjeçarit, i cili i tha se kishin kohë që nuk ishin dëgjuar dhe se dëshironte që të pajtoheshin. Tierni sqaroi nuk e kishte takuar Lofnerin, që nga koha kur ai kishte filluar të sillej çuditshëm dhe t’i bënte të tjerët të ndiheshin keq nga prania e tij. Ai i përshkroi ato si “komente nihiliste pa asnjë kuptim”. Pasi dëgjoi lajmin për tragjedinë e ndodhur në Tuson, Tierni mendoi se autori mund të ishte ish-shoku i tij, pasi ai vetë kishte shprehur më herët antipatinë për kongresisten. Kjo antipati vinte nga reagimi i kongresistes tri vjet më parë, e cila e bëri të ndihej djaloshin vërtet qesharak pas pyetjes që i ishte drejtuar ai. Kur Tierni u pyet nëse shoku i tij, vrasësi 22-vjeçar donte të tërhiqte vëmendje, ai u përgjigj: “Vëmendje? Unë do të thojë me tepër se vëmendje, më tepër përpiqej të identifikohej në publik, të merrte shikime nga publiku, nga media”. Tierni tha se shoku i tij nuk merrej me politikë, por kishte një inat të pashpjegueshëm me qeverinë e SHBA-ve.
BOX- Kolorado
Kërcënohet senatori dy ditë para tragjedisë në Arizona
Një person në Kolorado është akuzuar se ka kërcënuar senatorin Majkëll Bentet si dhe stafin e tij, duke i vënë zjarrin zyrës së tij, vetëm dy ditë para masakrës në Arizona, ku mbeti e plagosur rëndë kongresistja Gabriele Gifords. Xhon Troj Davis, 44 vjeç, u paraqit para gjykatës në Denver, por shefi i policisë së distriktit sqaroi se nuk kishte të dhëna se rastet në fjalë kishin lidhje. Arrestimi i Davis ndodhi para se gjashtë persona të vdisnin ditën e shtunë. Agjenti i FBI-së, Xhonatan D. Grusing tha në një deklaratë se Davis kishte shkuar fillimisht në zyrën e senatorit që të ankohej në lidhje me përfitimet e tij të Sigurimit Social.
Britani
Asanxh del para gjyqit, avokatët: Rrezikon vdekjen nëse ekstradohet në SHBA
Zhulian Asanzh, themelues i WikiLeaks, ka dalë dje para një gjykate londineze, në një seancë gjyqësore me qëllim përgatitjen e nisjes së procesit të ekstradimit. Nën shoqërinë e dy gardianëve, përballë një xhamie të blinduar, 39-vjeçari me origjinë australiane, ka ndjekur i qetë bashkëbisedimin mes avokatit, përfaqësueses të Suedisë dhe gjykatësit. Nën drejtimin e gjykatësit Nikolas Evans, seanca ka zgjatur vetëm 10 minuta, ku është vendosur se kur do të zhvillohet seanca e ardhshme, ku do të shqyrtohet kërkesa e ekstradimit. Gjykatësi Evans vendosi datat 7 dhe 8 shkurt për shqyrtuar kërkesën suedeze duke e lënë Asanzh të lirë me kusht duke u paraqitur, në polici dhe nën një monitorim elektronik. Avokatët e Asanzh kundërshtojnë ekstradimin e klientit të tyre në SHBA. Ata shprehen se ai rrezikon dënimin me vdekje në atë vend, për tradhti të kombit.
Australi
Alarm nga përmbytjet, rritet numri i viktimave
Përmbytjet në Australinë Verilindore kanë vënë në alarm autoritetet vendore, që kanë parashikuar me këtë rast edhe rritje të numrit të viktimave. 9 veta kanë gjetur vdekjen nga fatkeqësia dhe në Brisbejn, zyrtarët thonë se të paktën 6,500 shtëpi pritet të përmbyten gjatë pak ditëve të ardhshme. Kryeministrja e Kuinslandit, Ana Bllaj, tha se përveç 9 personave që kanë gjetur vdekjen, shtoi se ka shqetësime për 66 persona të tjerë që rezultojnë të zhdukur. Qyteti u godit papritur dy ditë më parë nga një mur i lartë uji, që zyrtarët e quajtën një cunami tokësor. Shumë banorë u ngjitën mbi çatitë e shtëpive ndërsa makinat u hodhën tej nga uji si të ishin lodra fëmijësh. Operacionet e shpëtimit rifilluan dje pas ndërprerjes gjatë natës për shkak të kohës së keqe.
Rusi
Hyn në fuqi marrëveshja civile atomike me SHBA-të
Marrëveshja për bashkëpunim atomik civil ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, dje hyri në fuqi. E ashtuquajtura Marrëveshja 123 hyri në fuqi pas këmbimit të notave diplomatike ndërmjet zëvendës ministrit të jashtëm rus, Sergei Ryabkov, dhe ambasadorit amerikan në Moskë, Xhon Bejerle, gjatë një ceremonie në Moskë. Sipas marrëveshjes, e cila e ka kaluar shqyrtimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, gjatë muajit të kaluar, lejohet që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të këmbejnë teknologji të energjisë bërthamore, të angazhohen në ndërmarrje të përbashkëta komerciale civile dhe të punojnë për së afërti në luftimin e zgjerimit atomik.
Gjermani
Përhapet skandali i dioksinës edhe te mishi i derrit
Skandali me dioksinë po përhapet në Gjermani, duke i bërë autoritetet të reagojnë ashpër lidhur me këtë çështje. Për herë të parë është dëshmuar prezenca e kësaj lënde helmuese edhe tek mishi i derrit. Ministria për Bujqësi në Hanover njofton se për këtë shkak do të theren dhe do të asgjësohet mishi i qindra derrave. Deri tani dioksina ishte dëshmuar vetëm tek pulat dhe vetë. Ndërkohë në Bundestag po debatohet për pasojat e këtij skandali. Ministrja e Bujqësisë Ilse Aigner do të paraqesë propozime për parandalimin e futjes në ushqimin e kafshëve të lëndëve helmuese. Shumica dërmuese e rreth 5000 fermave, për të cilat dyshohej se kanë përdorur ushqime të helmuara me dioksinë, mund të shesin sërish prodhimet e tyre. Por 560 ferma edhe më tej mbeten të mbyllura. Sipas vlerësimeve të disa mediave gjermane, dëmet e deritanishme nga skandali me dioksinë kapin shumën prej rreth 100 milionë euro.
Përgatiti: Blerina Olldashi
12 Janar 2011