Rama: Vlerësojmë tryezën e Presidentit, është përpjekje për zgjidhjen e krizës

Fier, 9 shkurt, NOA Kryesocialisti Edi Rama
gjatë panelit të radhës me gazetarët, ka përshëndetur tryezën e thirrur nga Presidenti
i Republikës duke uruar që kjo sipas tij të arrijë të zgjidhë krizën politike
dhe institucionale në vend.
Dua ta vlerësoj këtë moment si shprehje
e progresit të bërë në një përpjekje që tashmë nuk është vetëm e jona, por edhe
e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë, për të zgjidhur një krizë që thellohet
dita ditës me implikime të rënda në të gjitha fushat e jetës së vendit, mësohet
të ketë deklaruar Rama lidhur me një fakt të tillë.
Nga ana tjetër, ai ka bërë me dijeni se së bashku
me disa kolegë, nesër do të niset në Strasburg për një ditë të komunikimit
masiv me miqtë e Partisë Socialiste Evropiane, të cilët sipas tij janë seriozisht të angazhuar për të dhënë
kontributin e tyre në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
Me këtë rast e shoh të rëndësishme të
theksoj edhe se vazhdimi i komunikimit me të gjithë aleatët tanë, të Fronit
Opozitar, është pjesë e këtij procesi në përgatitjen, jo vetëm të tryezës së
dialogut, por edhe i të gjitha hapave që parashohin kontributin tonë për
zgjidhjen e kësaj krize, tha më tej Rama.
Lidhur
me çështjen e hapjes së kutive, ai ka pohuar se ai mbetet një kusht i
patjetërsueshëm për të patur një hetim të plotë dhe për të garantuar një
transparencë të gjithë procesit zgjedhor, në funksion të Kushtetutës dhe
ligjit, duke zbërthyer të gjithë elementët që e përbëjnë procesin.
Ne nuk duam të hapim kutitë për të përmbysur
pushtetin në tavolinë. Ne duam të hapim kutitë për të hetuar procesin dhe
përmes hetimit të procesit, të plotësojmë të gjithë kuadrin kushtetues për një
hetim parlamentar me të gjitha aspektet, të cilat duhet ta shqetësojnë dhe vënë
në lëvizje parlamentin e vendit kur bëhet fjala për të trajtuar këtë çështje
dhe për ti dhënë zgjidhje një sërë problemesh që dalin nga hetimi, tha Rama
rreth kësaj çështje.
n.e/NOA